Kombëtarja e Kosovës në hendboll do t’i luajë dy miqësore këtë muaj. Këtë e ka bërë të ditur të shtunën Federata e Hendbollit e Kosovës.
“Federata e Hendbollit e Kosovës fillon menjëherë me aktivitete për vitin 2026. Javën e ardhshme Kombëtarja A e Kosovës në hendboll (meshkujt) do të qëndrojë në Slloveni, ku i luan dy ndeshje miqësore. Miqësoret janë planifikuar nga shtabi teknik i udhëhequr nga selektori Jesper Ostlund, që në ndeshjet e ardhshme garuese ekipit kombëtar të jetë sa më i gatshëm dhe sa më i komponuar. Kombëtarja jonë të martën mbrëma udhëton për në Lashko të Sllovenisë”, shkruhet në njoftimin e FHK-së.
Selektori i Kosovës në hendboll, Ostlund, pritet të ketë në dispozicion numër më të madh lojtarësh për këto dy miqësore.











