10 nxënës dhe dy mësimdhënës nga fshati Besi i Komunës së Prishtinës janë trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, ku për këtë ka folur edhe drejtori i Shëndetësisë, Fahri Shabani i cili ka thënë se gjendja e nxënësve është e mirë.
Sipas tij, nxënësit kanë marrë ndihmën e nevojshme shëndetësore edhe të njëjtit po lirohen nga Spitali.
“Bashkë me kryetarin e Komunës z.Bedri Hamza , nënkryetarin z.Arian Tahiri posa përfunduam vizitën në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, ku një numër prej 10 nxënësve dhe dy mësimdhënësve nga fshati Besi i Komunës së Prishtinës janë trajtuar , teksa ndodheshin në ekskursion në rajonin e Mitrovicës dhe kishin patur disa shqetësime shëndetësore me simptoma të çrregullimeve gastrointestinale. Për fat të mirë ,të gjithë nxënësit janë mirë dhe pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme shëndetësore po lirohen nga Spitali për të vazhduar rrugën për në shtëpitë e tyre”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Po ashtu, ai thotë se mjekët nga Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike kanë marrë mostrat dhe pas verifikimit profesional shkencor do të japin rezultatet përkatëse.
“Për shkaqet dhe natyrën e këtyre problemeve shëndetësore , kolegët nga Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike kanë marrë mostrat dhe pas verifikimit profesional shkencor do të japin resultatet përkatëse. Përgezoj dhe falenderoj punëtorët e Sektorit të Urgjencës së QKMF-së, Repartit të Emergjencës dhe Repartit të Sëmundjeve Infektive të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës dhe të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Mitrovicë për reagimin e shpejtë dhe profesional në këtë situatë ,e cila edhe falë këtij reagimi kaloi mirë dhe pa pasoja”, tha më tej Shabani. /teve1.info/