Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se muaji prill do të përcaktojë nëse ekziston vullnet real politik për bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike për qështjen e presidentit.
Haziri thekson se populli i Kosovës është qartësisht i orientuar drejt Evropës dhe nuk meriton një qeverisje tjetër përveç asaj me vlera euroatlantike.
Ai rikujton se LDK-ja për më shumë se tri dekada ka ndërtuar dhe promovuar këtë orientim politik, duke e konsideruar atë si rrugën e vetme për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.
Në mesazhin e tij, ai nënvizon rëndësinë e pragmatizmit dhe kompromisit në politikë, duke i cilësuar ato si vlera dhe jo si dobësi. Sipas tij, sa më e madhe të jetë mbështetja qytetare për një subjekt politik, aq më e madhe bëhet përgjegjësia për të ndarë pushtetin dhe për të bashkëpunuar me të tjerët.
Në të kundërtën, mungesa e bashkëpunimit dhe pragmatizmit mund ta çojë vendin drejt skenarëve të padëshiruar, si ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese në zgjidhjen e ngërçeve politike ose organizimi i zgjedhjeve të reja, të cilat ai i konsideron të kushtueshme për buxhetin e shtetit.
Në përmbyllje, Haziri rithekson se orientimi euroatlantik mbetet alternativa e vetme e drejtë për Kosovën dhe se përgjegjësia për ta realizuar këtë vizion bie mbi të gjithë aktorët politikë.









