Kosova ndodhet në një momentum kyç ku duhet adresuar sfidat dhe mundësitë e procesit të Drejtësisë Tranzicionale. Kështu ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në tryezën me donatorë për “Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale” që u mbajt në Prishtinë.
Gjatë diskutimeve u theksua se kjo strategji përshkruan synime ambicioze duke filluar nga adresimi i mizorive të së kaluarës dhe sigurimi i llogaridhënies deri tek mbështetja e viktimave dhe forcimi i institucioneve demokratike.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se me miratimin e kësaj strategjie, Kosovës i është krijuar një kornizë e rëndësishme për trajtimin e shkeljeve masive të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës.
Përveç kësaj, Haxhiu tha se kjo strategji përfaqëson një moment të rëndësishëm shoqëror dhe institucional në përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të promovuar dialogun shoqëror dhe për të forcuar paqen e qëndrueshme.
“Me miratimin e kësaj strategjie Kosovës i kemi krijuar një kornizë jashtëzakonisht të rëndësishme për trajtimin e shkeljeve masive të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës. Përmes kësaj strategjie edhe njëherë e afirmojmë angazhimin tonë të përditshëm për ndërtimin e themeleve të një të ardhmeje të drejtë, solidare, por edhe të barabartë. Kosova ndodhet në një momentum kyç në të cilin duhet adresuar sfidat dhe mundësitë e procesit të drejtësisë tranzicionale. Rrjedhimisht edhe kjo strategji përfaqëson një moment të rëndësishëm shoqëror dhe posaçërisht institucional në përpjekjet tona kolektive për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të promovuar dialogun shoqëror dhe për të forcuar paqen e qëndrueshme… Strategjia për drejtësinë tranzicionale përshkruan synime ambicioze, nga adresimi i mizorive të së kaluarës dhe sigurimi i llogaridhënies tek mbështetja e viktimave dhe forcimi i institucioneve demokratike”, tha Haxhiu.
Ndërkaq, udhëheqësi i divizionit nga Ministria e Drejtësisë, Baki Svirca prezantoi Planin e Veprimit të Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale. Ai tha se për këtë strategji janë ndarë, 15 milionë euro dhe se kjo strategji është fokusuar në katër objektiva strategjike të cilat janë ndarë në 18 objektiva specifike, për të cilat janë planifikuar 112 aktivitete.
Ai potencoi se strategjia ka synuar që të mundësojë vendosjen e dialogut social për të kaluarën përmes drejtësisë restauruese, për të siguruar kushtet e nevojshme për arritjen e drejtësisë për të gjitha viktimat, për të siguruar zbatimin e një procesi gjithëpërfshirës, transparent, të mbështetjes materiale, simbolike, psikosociale për të gjitha viktimat.
“Strategjia sipas parimeve të drejtësisë tranzicionale është fokusuar në katër objektiva strategjike që lidhen drejtpërdrejt me katër shtyllat e drejtësisë tranzicionale dhe të cilat pastaj janë shpërndarë ose janë ndarë në 18 objektiva specifike, për të cilat janë planifikuar 112 veprime ose aktivitete. Në këto 112 aktivitete, kostoja për tri vjet ka një shumë të përmbledhur, të parallogaritur mbi 15 milionë euro, ose saktësisht është 15 milionë e 531 mijë e 935 euro. Kjo kosto është e darë në tri vite për secilin veprim është kostoja specifike…Objektiva strategjike ‘Objektivi për të vërtetën ose objektivi i parë do të realizohet përmes 25 aktiviteteve dhe shuma për tri vite është 7 milionë 288 mijë e 979. Objektivi strategjik i dytë ose ‘E drejta për qasjen në drejtësi ose qasja në drejtësi’ do të realizohet përmes 20 aktiviteteve. Shuma për tri vjet, për këtë pjesë është 721 mijë e 356 euro. Objektivi strategjik i tretë që ka të bëjë me mbështetjen ose pjesën e reparacioneve do të realizohet përmes 27 aktiviteteve, ku shuma për tri vjet do të jetë 5 milionë e 851 mije 456 euro. Dhe objektivi strategjik i katërt, që ka të bëjë me garantimin e mos përsëritjes ose vazhdimin e reformave institucionale për ta garantuar mos përsëritjen, do të realizohet përmes 40 aktiviteteve e cila do të ketë një kosto prej 1 milion e 670 mijë e 144 euro”, potencoi Svirca.
Lidhur me Planin e Veprimit për “Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale”, drejtoresha ekzekutive e organizatës civile me qendër në Mitrovicën e Veriut, Iniciativa e Re Sociale (NSI), Jovana Radosavljeviç u shpreh se është thelbësore të theksohet abuzimi i mundshëm që lidhet me dokumentin dhe ndërmarrjen e procesit me Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë e Kosovës.
Ajo tha se dokumenti i përgatitur nga MD-ja dështon në të gjitha parimet që pretendon të mbështesë, veçanërisht qasja dhe përfshirja në qendër të viktimës.
Sipas saj, kjo strategji fokusohet ekskluzivisht në vuajtjet e një komuniteti të vetëm etnik, duke neglizhuar plotësisht përvojat si vuajtje të grupeve të tjera etnike.
Ndërkaq, Radosavljeviç pas fjalës së saj lëshoi sallën, duke mos pritur përgjigjet e dhëna nga ministra Haxhiut dhe udhëheqësi i divizionit të MD-së, Svirca.
“Është thelbësore të theksohet abuzimi i mundshëm që lidhet me dokumentin dhe ndërmarrjen e procesit me Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë e Kosovës. Së pari, është e rëndësishme të theksohet se dokumenti i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dështon në të gjitha parimet që pretendon të mbështesë, veçanërisht qasja dhe përfshirja në qendër të viktimës. Dokumenti ka disa mangësi të rëndësishme. Më e dukshmja … 00:37 është perspektiva episcentrike. Ai fokusohet ekskluzivisht në vuajtjet e një komuniteti të vetëm etnik, duke neglizhuar plotësisht përvojat si vuajtje të grupeve të tjera etnike. Këto komunitete të tjera nuk përmenden fare në dokument. Ky paragjykim është i dukshëm në kornizën kohore të zgjedhur për trajtimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut brenda strategjisë, e cila qëndron nga viti 1989 deri në vitet 2000. Kjo periudhë injoron krimet e pasluftës dhe marrëdhëniet masive të të drejtave të njeriut, të cilat prekin kryesisht anëtarët e komuniteteve jo-shumicë. Për më tepër, duket se ministria e ka braktisur konceptin e pajtimit, pasi termi pajtim është përmendur vetëm një herë në kuadër të promovimit të kohezionit social në mes të komuniteteve”, theksoi Radosavljeviç.
Lidhur me kritikat e saj, Baki Svrica tha se të gjitha konsultimet me fokus grupet janë të rekorduara dhe për arsye të korrektësisë nuk i lejohet që t’i prezantojë të gjitha qëndrimet e njerëzve që kanë marrë pjesë nga kategoritë e ndryshme.
Përveç kësaj, sa i përket procesit të reparacioneve, ai tha se në dokument strategjik nuk ka të dhëna konkrete sepse planifikojnë të bëjnë aktivitete të cilat e shtojnë gjithë përfshirjen.
Më 13 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale, e para në Republikën e Kosovës që nga lufta e fundit./KP