Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit.
Ajo ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Kushtetuesja vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit dhe masë pezulluese për afatin kushtetues.
“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë, e kam njoftuar edhe Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu”, ka njoftuar ajo në Facebook.
Seanca për zgjedhjen e presidentit ka dështuar të enjten në mungesë kuorumi. PDK, LDK e AAK nuk morën pjesë në seancë.







