Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nuk do të tërhiqet nga Kuvendi i Kosovës. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias do të përfshihen mes dy leximeve.
Në një intervistë për KosovaPress, Haxhiu flet edhe për kundërshtimet ndaj Ligjit për KPK-në por edhe për mundësinë e krijimit të një mekanizmi mbikëqyrës për Gjykatën Speciale dhe marrëveshjen për qelitë me Danimarkën.
Tashmë që shqyrtimi i parë i Projektligjit për Byronë… është planifikuar të bëhet në seancën e së enjtes, Haxhiu e konsideron sukses që Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën e gjelbër konceptit të konfiskimit civil.
“Janë gjashtë rekomandime kryesore që na ka dhënë Komisioni i Venecias dhe janë disa të tjera që nuk janë edhe aq përmbajtësore, por janë të rëndësishme. Ne jemi të interesuar që secilin prej rekomandimeve që ka adresuar Komisioni i Venecias ta adresojmë bashkërisht në Komisionin për Legjislacion. Dhe pasi që ky projektligj ta marr miratimin nga Kuvendi i Kosovës në lexim të parë, pasi diskutimet të jenë përmbyll në Kuvend, tani mbetet vetëm votimi. Ne jemi të gatshëm si ministri e Drejtësisë që të ulemi me grupin punues të Komisionit për Legjislacion për ta trajtuar secilin prej rekomandimeve. Unë nuk pajtohem me ata që thonë se duhet të tërhiqet ky projektligj, të paktën në adresën time nga ka ardhur diçka e tillë kam parë thirrje për zbatim që i janë bërë qeverisë që t’i adresojnë komentet e Venecias, unë mendoj që thirrjet janë komplet legjitime dhe në linjë me qëndrimet tona si qeveri, askush nuk është i interesuar që të procedojë një projektligj për sa kohë nuk janë adresuar rekomandimet e Venecias”, u shpreh Haxhiu.
Ligji për Këshillin Prokurorial, i cili ka kaluar në Kuvend më 23 qershor, ka ngjallur edhe reagime. Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, e kanë dërguar të njëjtin në Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji.
Reagime pati edhe nga Këshilli Prokurorial, që i kërkoi Avokatit të Popullit, ta referonte në Kushtetuese. Por, për ministren Haxhiu ky reagim i KPK-së është i paprecedentë dhe se përçon një mesazh të gabuar tek të gjithë.
“Mendoj se një deklaratë e tillë (KPK-së) është e paprecedentë. Nuk kam parë ndonjëherë që një institucion që edhe përkundër faktit që në procedura të rregullta legjislative dhe në frymën e standardeve evropiane është hartuar një projektligj i tillë, nuk kam parë një qasje të tillë, një deklaratë të tillë nga asnjë institucion asnjëherë ku tregon hapur rezistencën e tyre për një projektligj që është miratuar në Kuvendin e Kosovës… mendoj që është një deklaratë e pamatur, mendoj që është komplet e paarsyeshme dhe nuk i takon Këshillit Prokurorial, si një institucion i rëndësishëm që të thërrasë për rezistencë dhe nuk është shembull i mirë për qytetarët e Kosovës teksa ne i thërrasim ata që të zbatojnë ligje që nxirren nga Kuvendi në anën tjetër të kemi një instancë tjetër që thotë se nuk do ta zbatojë, aq më tepër kur KPK i mbikëqyr prokuroritë… Nuk është shembull i mirë, është goditje në radhë të parë për një institucion që është tepër i rëndësishëm, dhe konsideroj se reforma në drejtësi ka nisur, ka nisur së pari në KPK… zbatimi apo jo i një ligji nuk varet nga vullneti i tyre individual”, theksoi ministrja e Drejtësisë.
Krijimi i një mekanizmi që mbikëqyr punën e Speciales u shndërrua në një çështje pas vizitës së kryekuvendarit Konjufca tek ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në paraburgim.
Haxhiu pajtohet që Kosova duhet ta ketë një instance e cila vlerëson objektivisht punën e Gjykatës Speciale ne aspektin e të drejtëve të njeriut, por thotë se këtë mund ta bëjë vetëm Kuvendi ose Avokati i Popullit.
“Mendoj që kur ka mungesë të mbikëqyrjeve nga institucionet natyrisht që pastaj është e pranishme, edhe shkelja e të drejtave të njeriut, edhe shkeljet e tjera, dhe një rast të tillë nuk e kemi parë askund ku kemi një institucion që nuk i jep llogari askujt… Gjykata Speciale nuk raporton as në KGJK dhe as në KPK dhe në asnjë instancë tjetër, prandaj është tepër e rëndësishme që ta kemi një instancë që vlerëson objektivisht në raport me pretendimet e personave që po mbahen në paraburgim dhe mendoj që kjo do t’i ndihmonte Republikës së Kosovës për të parë në qoftëse ka shkelje të të drejtave të njeriut… Askush nuk është i interesuar që të pengojë punën e pavarur të Gjykatës Speciale, mirëpo të kujdesemi që nuk po shkelen të drejtat e këtyre personave… Si MD nuk mund të kemi kompetenca për këtë, si MD çfarëdo që Kuvendi ka kërkuar prej nesh ne e kemi bërë. Ne e kemi divizionin për mbështetje financiare, ne i kemi kryer obligimet që ka , mirëpo Kuvendi i Kosovës si instancë që e ka votuar këtë institucion mund të adresojë një gjë të tillë”, u shpreh ajo.
Ministria e Drejtësisë po ashtu po synon që gjatë këtij muaji ta sjell në Qeveri të Kosovës edhe marrëveshjen me Danimarkën për dhënien e qelive me qira të burgut të Gjilanit.
Ajo beson që kjo marrëveshje ndërkombëtare do ta ketë edhe mbështetjen e opozitës, pasi i duhet dy të tretat e votave të të gjithë deputetetëve për ta miratuar.
“Jam optimiste që (opozita) do ta japin mbështetjen për një marrëveshje të tillë, mendoj se nuk do të duhej që të ndërlidhnin proceset e ndryshme me marrëveshjet ndërkombëtare, jo me marrëveshjen me Danimarkën apo me shtetet e tjera për faktin se ne si shtet jemi të interesuar edhe strategjikisht me shtetet që në vazhdimësi e kanë mbështetur Kosovën… uroj që ta kemi edhe mbështetjen e opozitës për këtë marrëveshje”, u shpreh Haxhiu.
E gjatës kësaj jave ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkë me kryeministrin, Albin Kurti janë takuar me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe përfaqësuesin e AAK-së, Selim Selimi ku kanë diskutuar për procesin e vettingut. E përkundër ftesës, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka refuzuar një takim të tillë.