Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar për mediat në rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.
Haradinaj ka thënë se, mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe sipas tij, është obligim institucional dhe shoqëror, raporton teve1.info
“Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, por edhe si çdo ditë tjetër reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës, lirisë së mendimit e të medias. Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë!”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka deklaruar se shqetësuese mbeten edhe sulmet ndaj gazetarëve dhe tendenca nga disa eksponentë të pushtetit për kontroll ndaj gazetarëve.
“Shqetësuese mbeten sulmet që i bëhen gazetarëve e mediave dhe tendenca nga disa eksponentë të pushtetit për kontroll ndaj tyre! Jemi në krah të tyre, në mbrojtje e respekt të fjalës së lirë, si vlerë e panegociueshme e demokracisë”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, 3 Maji shënohet në të gjithë botën si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë është caktuar që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Në Kosovë kjo ditë do të shënohet me aktivitete të ndryshme./teve1.info