Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Austria vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës për arritjen e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE dhe nisen e Partneritetit për Paqe.
Ajo këto komente i ka bërë në një takim me delegacionin nga Partia Popullore Austriake.
“Shpreha nevojën për mbështetje të mëtutjeshme të Austrisë në aspiratën tonë për integrim euro-atlantik, arritjen e statusit vend kandidat në BE dhe nisjen e Partneritetit për Paqe. Theksova nevojën e thellimit të bashkëpunimit tonë në aspektin politik dhe ekonomik, duke zgjeruar kështu miqësinë e veçantë dhe avancimin e raporteve mes shteteve tona”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka falënderuar këtë delegacion i cili përbëhej nga deputetë, këshilltarë dhe zyrtarë tjerë, për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në proceset e rëndësishme për Kosovën, veçanërisht në suksesin e arritur në procesin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në arritjen e liberalizimit të vizave./teve1.info/








