Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza gjatë seancës së thirrur për diskutimin e çmimit të naftës, kritikoi Qeverinë për mungesë reagimi ndaj ndikimit që kjo rritje ka në jetën e qytetarëve.
Sipas tij, shtrenjtimi i vazhdueshëm i naftës po ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e standardit jetësor. “Kjo situatë po e varfëron çdo ditë e më shumë qytetarin e Kosovës”, deklaroi Hamza.
Ai shtoi se institucionet nuk po i analizojnë siç duhet zhvillimet ekonomike dhe indikatorët financiarë. Duke iu referuar raportit të fundit të Fondi Monetar Ndërkombëtar, Hamza theksoi se rritja ekonomike për vitin 2025 pritet të jetë 3.6%, niveli më i ulët në vitet e fundit.
Madje, sipas tij, parashikimet për vitin 2026 janë edhe më pesimiste, me një rritje të pritshme prej vetëm 3.3%.
Ai gjithashtu përmendi rritjen e inflacionit, duke theksuar se në shkurt të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet janë rritur për 6%.
“Kjo përkthehet në ulje të fuqisë blerëse dhe përkeqësim të jetesës së qytetarëve”, tha ai.
Në fund, Hamza theksoi se PDK do të mbështesë çdo masë që synon përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
“Kemi raportin e fundit të FMN-së, i cili nuk thotë diçka më tepër se ato që i kemi thënë ne. Rritja ekonomike, për vitin 2025, vlerësohet se është 3.6, që është më e ulëta me vitet e fundit. Për më keq, parashikimet janë edhe më të zbehta, ku për vitin 2026 parashihet rritje ekonomike prej 3.3 për qind”.
“Inflacioni, për me thënë në gjuhën popullore, rritja e çmimeve dhe përkeqësimi i standardit të jetesës së qytetarëve të Kosovës, varfërimi i qytetarëve, në shkurt të këtij viti në krahasim me shkurtin e vitit paraprak, është 6%. Prandaj, ne e përkrahim çdo masë e cila shkon në drejtim të përmirësimit të standardeve të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Hamza./teve1.info/








