Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për uljen e dënimit të Pjetër Shalës nga 18 në 13 vite burg, duke e cilësuar atë si vendim politik dhe të padrejtë.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Gucati deklaroi se “vendimi është i papranueshëm dhe i motivuar politikisht, duke akuzuar gjykatën për manipulime dhe përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me ushtrinë serbe”.
“Kjo gjykatë është duke punuar me njerëz jo adekuatë dhe jo të sinqertë. Ka publikuar materiale të falsifikuara dhe sot e dënon Pjetër Shalën me 13 vite burg, pa ndonjë arsye të arsyeshme. Po mundohen të kënaqin dëshirat e Serbisë me këto dënime ndaj çlirimtarëve tanë”, u shpreh Gucati.
Ai gjithashtu foli edhe për seancën e 16 korrikut, ku pritet të shpallet vendimi për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë në Hagë.
“Të martën udhëtoj për në Hagë dhe do të jem i pranishëm në seancë, nëse më lejohet. Do t’i vizitoj ish-krerët e UÇK-së. Besoj se mbrojtja ka përgatitur një strategji të fortë dhe shpresoj që të gjitha aktakuzat të rrëzohen të mërkurën”, tha ai.
Gucati theksoi se lufta e UÇK-së ishte e imponuar dhe se në vend të ndëshkimit të çlirimtarëve, drejtësia ndërkombëtare duhej të përqendrohej në krimet serbe.
“Në Evropë nuk ka drejtësi. Serbia ka kryer mbi 460 masakra, janë vrarë 1,324 fëmijë, mbi 20,000 gra janë dhunuar, dhe 13,500 qytetarë të Kosovës janë vrarë. Nëse vetëm Kosova duhet të dënohet për këtë, atëherë edhe NATO duhet të ulet në bankën e zezë”, përfundoi Gucati.