Sfida më e madhe për gratë është që të përfshihen në vendimmarrje dhe hartim të politikave, duke përfshirë edhe vetë lobimin e tyre për fuqizimin e rolit të gruas.
Kështu u tha në tryezën e rrumbullakët “Zbatimi i Rezolutës 1325 në nivelin lokal”, në të cilën morën pjesë gra me pozita të ndryshme në politikë, për çka ndanë eksperiencat dhe vështirësitë e tyre në udhëheqje.
Ish-kryetarja e Komunë së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, foli për përvojën e saj si gruaja e parë në Kosovë që u zgjodh për ta udhëhequr një komunë, për çka përmendi disa nga përpjekjet e saj për të fuqizuar rolin e gruas në shoqëri dhe vendimmarrje.
Kusari-Lila vuri në theks rëndësinë e krijimit të mekanizmave që gratë në shoqërinë civile të jenë pjesë në vendimmarrje në nivelin lokal, ngase sipas saj, angazhimi i grave në politikë mund të bëhet vetëm duke u krijuar aleanca dhe partneritete.
“Diskutimi qoftë në shkollë fillore apo edhe në familje filloi që prej asaj periudhë, të ndihmonte që bartëse e drejtorisë së arsimit të ishte një grua profesioniste. Prandaj, edhe komunikimi edhe diskutimi për evitimin e martesave në moshë të hershme ka mbetur fokusi im për katër vite sa kam qenë kryetare e komunës. Gjithashtu, programet të cilat lidheshin drejtpërdrejt me fëmijët e komuniteteve si qendrat e komuniteteve, shpeshherë ne e tejkalojmë apo e anashkalojmë faktin se nganjëherë fëmijët që vijnë nga familjet e cenueshme ekonomikisht ose në aspektin social ndoshta pjesën më të mirë të ditës e kanë në shkollë, për dallim nga fëmijët që vijnë nga komuniteti që mund të ketë gjendje më të mirë sociale, që në shtëpi i ka kushtet më të mira se në shkollë. Investimet në ujin e pijes, në ndriçim, në trafikun urban janë investimet përmbajtjesore ose elementare për sigurinë e grave dhe fëmijëve dhe gjithashtu për çasje e grave në tregun e punës edhe për vijueshmërinë e vajzave në shkollë”, tha Kusari-Lila.
Ndërsa, zëvendëskryetarja në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Katarina Adjançiq, tregoi për punën e suksesshme që gratë po e kryejnë në drejtoritë përkatëse të kësaj komunë.
Ajo tha se nga shtatë drejtori sa ka Komuna e Mitrovicës së Veriut, katër nga to udhëhiqen nga gra me përvojë.
“Gjendja aktuale është se kemi shtatë drejtori, dhe kemi katër gra drejtoresha të cilat janë shumë të reja dhe suksesshme por edhe me përvojë. Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila kishte studiuar në Ëashigton është kthyer për të vënë në praktikë përvojën e saj në qytetin ku kishte lindur. Drejtoria e Punës, Sigurisë dhe Mbrojtjes sociale, kjo pozitë është dedikuar për një grua, sepse kush më mirë do të brengosej për shëndetin e qytetarëve sesa një grua. Përndryshe, e ka edhe një provim për të përfunduar specializimin. Pastaj e kemi edhe drejtoreshën e Financave, kjo grua kujdeset shumë për paratë dhe shumë shpejtë arrijmë marrëveshje. Dhe kemi drejtoreshën e re për Administratën e Përgjithshme e cila përkrah dhe monitoron punën e të gjitha drejtorive në përgatitjen e çdo gjë që na mungon…Ndërsa, për këtë vit theksi është për investimet kapitale, rregullimi i sipërfaqeve publike në kryeqytet dhe subvencione…Për çdo fëmijë të lindur nga një janari gjatë këtij viti, nënë e fëmijës do të marrë 300 euro. Për qiftet e reja martesore, ata do përfitojnë 500 euro formë dhurate nga komuna. Këto janë porosi dhe shembuj të mirë për komunat e tjera”, tha ajo.
Ish-kryetarja e Komunës së Tetovës dhe njëkohësisht deputetja e parë shqiptare që arriti të zgjidhet në parlamentin e Maqedonisë, Teuta Arifi tha se sfida e saj kryesore ka qenë që t’i fuqizojë sa më shumë gratë, në mënyrë që ato të mund të jenë pjesë e politikbërjes dhe pozitave vendimmarrëse.
Arifi tha se si rezultat i një marrëveshjeje politike, ajo bashkë me disa gra të tjera deputete arritën 40 përqindëshin e parlamentit, gjë për të cilën thotë se ndihet krenare.
Ajo tha se shoqëria ka nevojë për barazi.
“. Por, sfida ime ka qenë e para, por është me rëndësi që kur të dal prej parlamentit mos të jem e fundit dhe në këtë sfidë, për të mos qenë e fundit nuk mund ta bëni atë luftë vet. Ne ishim në parlamentin prej 120 deputetësh , ne ishim 12 gra deputete, që e nuk kanë as shumicën e votës, dhe në bëmë një bashkëpunim të ndihmuar në atë kohë nga NDI, prandaj posaçërisht iu falënderoj për punën e juaj konsistente në këto procese demokratike tonat dhe nga OSBE për të bërë një ligj i cili do të siguronte që çdo e treta grua të jeta anëtare e listave por jo për parlament, për zgjedhjet lokale, komunale.”, tha Arifi./KP