Vlerësimi për licencën që i dallon mësimdhënësit mbi bazën e performancës nuk është organizuar asnjëherë.
Megjithatë, me draft-udhëzimin administrativ që është duke u punuar nga Ministria e Arsimit, kjo pritet të ndryshojë.
Kështu, mësimdhënësit do të gradohen në bazë të performancës së tyre.
E kjo po mirëpritet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
“Kjo është e mirë që është bërë me ligj ngase unë besoj se do të nxitë mësimdhënësit të punojnë edhe më shumë në mënyrë që t’i plotësojnë kriteret që i kërkon MASHT-i, në mënyrë që të paraqiten vullnetarisht për t’u graduar”, tha kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.
Jashari thekson se nuk do të ketë test me shkrim të njohurive për këtë kategori.
“Mësimdhënësit duhet të rrinë të qetë, pa stres, sepse askush në botë nuk do t’i dërgojë në test me shkrim të njohurive të tyre, por ne urojmë dhe presim së shpejti të forcohet departamenti i inspektorëve dhe të kemi inspektorë në klasë për ta parë nga afër punën e mësimdhënësve, për t’i këshilluar ata që t’i heqin dobësitë eventuale”, shtoi ai.
Testimin si instrument të vetëm të vlerësimit nuk e sheh të arsyeshëm as njohësi i arsimit, Rinor Qehaja.
“Nuk vlerësojmë se testimi i vetëm mund të jetë instrument i besueshëm. Testimi mund të jetë një instrument në mesin e plot tjerëve, përfshirë observimet në klasë, mbështetjen nga bashkë koleget, mirëpo jo i kufizuar në testim”, deklaroi Qehaja.
Sipas tij, duhet aktivizëm më i madh nga vet ana e mësimdhënësve për të përcaktuar formën e vlerësimit.
“Nevojitet të shikohet legjislacioni, nevojitet një debat më i gjerë, dhe një përfshirje shumë më aktive e komitetit të mësimdhënësve për me përcaktua atë formën ideale të vlerësimit të punës së tyre”, tha ai.
Në bazë të Ligjit të Pagave, për mësimdhënësit me performancë më të mirë do të garantohet shtesë në pagë deri në 10 për qind.
Kronika e gazetares Albiona Hajdari.