Një grabitje e armatosur ka ndodhur të shtunën pasdite në fshatin Zym të Prizren, ku dy persona janë sulmuar nga persona të panjohur teksa po udhëtonin me veturë.
Sipas raportit 24-orësh, rasti ka ndodhur rreth orës 16:15, kur viktimat kanë hasur në pengesa me gurë të vendosura në rrugë.
Pasi janë ndalur dhe kanë dalë nga vetura për t’i larguar pengesat, ata dyshohet se janë përballur me dy persona të armatosur me armë të tipit AK-47.
Nën kërcënimin e armëve, të dyshuarit u kanë marrë një shumë parash dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur. Gjatë ikjes, ata kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një zone pyjore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, të cilat kanë gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë.
Policia njofton se lidhur me rastin janë intervistuar dy persona të dyshuar, të cilëve u janë sekuestruar edhe dy telefona. Megjithatë, me urdhër të prokurorit, ata janë liruar në procedurë të rregullt për shkak të mungesës së provave.
Rasti mbetet nën hetime.




