Është një nga institucionet kryesore të sigurisë në vend.
Agjencia Kosovare e Inteligjencës po vlerësohet se ka bërë punë të mirë në goditjen e spiunazhit serb dhe luftës hibride.
Këtë vlerësim e bëri në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
E me vlerësimin e ministrit Maqedonci, po pajtohen edhe në Institutin “Octopus”, ku vazhdimisht bëhen hulumtime për çështje të sigurisë.
“Është përpjekja e vazhdueshme e saj që në njërën anë ta shfrytëzojë procesin e dialogut të Brukselit si platformë ndërkombëtare për ta zvarritë normalizimin dhe të ndërmarrë veprime minuese kundër rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, dhe në anën tjetër të ndërmarrë vazhdimisht veprime dhe luftë narrative kundër Kosovës, në kuadër të strategjisë së saj të madhe të viktimizimit”, thotë Arben Fetoshi nga Instituti “Octopus”.
Me gjithë sukseset e arritura në parandalimin e luftës hibride, Fetoshi thekson se puna nuk duhet të ndalet.
“Është e rëndësishme që Kosova në veçanti t’i kushtojë rëndësi segmentit që lidhet me infrastrukturën kritike, domenit që ka të bëjë me sigurinë kibernetike të vendit tonë dhe asaj që përpiqemi ta bëjmë në vazhdimësi dhe ne në kuadër të Insitutitut që është luftimi i dezinformimit nëpërmjet qasjes strategjike të së vërtetës për Kosovën me qëllim që të mos lejohet që Serbia të mos ketë sukses në synimet e saj”.
Në luftimin e spiunazhit, nënkoloneli në pension, Refki Morina, tregon se AKI-së i duhet një bashkëpunim i mirë edhe me institucione të tjera të sigurisë.
“Është bërë një punë e mirë por duhet bërë prapë, duhet të koordinohet puna me AKI-në, Policinë dhe mekanizma tjerë brenda Policisë në mënyrë që informatat inteligjente të jenë të ndërlidhura ndërkohë edhe me informatat që vijnë nga KFOR-i dhe nga institucionet ndërkombëtare që janë këtu e të koordinohet puna në tërësi në mënyrë që të minimizohen në tërësi format e tilla të veprimit armiqësor të Serbisë në raport me Kosovën”, deklaroi Morina.
Në Tëvë1, ministri Maqedonci theksoi gjithashtu se për herë që nga paslufta, rrjeti i spiunazhit është goditur në mënyrë të organizuar.






