Gjykata Supreme të premten vendosi njëzëri që të miratojë ligjin federal që e ndalon TikTok-un duke filluar nga e diela, përveçse nëse shitet nga kompania e saj amë me bazë në Kinë.
Gjykata argumentoi se rreziku për sigurinë kombëtare i shkaktuar nga lidhjet me Kinën tejkalon shqetësimet për kufizimin e lirisë së shprehjes nga aplikacioni ose 170 milionë përdoruesit e tij në Shtetet e Bashkuara, raporton AP.
Shitja nuk duket se është afër dhe, megjithëse ekspertët kanë thënë se aplikacioni nuk do të zhduket nga telefonat e përdoruesve ekzistues pasi ligji të hyjë në fuqi më 19 janar, përdoruesit e rinj nuk do të jenë në gjendje ta shkarkojnë atë e as të përditësojnë.
Kjo, eventualisht, do ta bëjë aplikacionin të papërdorshëm, ka thënë Departamenti i Drejtësisë në dokumentet gjyqësore.
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, premtoi se mund të negociojë për një zgjidhje, kurse administrata e presidentit Joe Biden ka sinjalizuar se nuk do ta zbatojë ligjin duke filluar nga e diela, dita e tij e fundit e plotë në detyrë, shkruan REL.
Trump, i vetëdijshëm për popullaritetin e TikTok-ut dhe për 14.7 milionë ndjekësit e tij në këtë aplikacion, gjendet në anën e kundërt të argumentit nga republikanët e njohur të Senatit, të cilët fajësojnë pronarin kinez të TikTok-ut për mosgjetjen e një blerësi deri tani.
Nuk është e qartë se cilat opsione do të jenë të hapura për Trumpin pasi të betohet si president të hënën.