Gjykata Kushtetuese, si autoritet përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, rrezikon të mbetet pa kuorum në fund të 2024. Më 30 dhjetor të këtij viti iu përfundon mandati dy gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.
Kur pritet të përfundojë mandati kryetares Gresa Caka-Nimani dhe gjyqtares Selvete Gërxhaliu-Krasniqi?
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, gjykatësja Caka-Nimani është dekretuar si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti më 30 dhjetor 2015. Ndërsa, ajo është zgjedhur kryetare e kësaj gjykate më 17 maj 2021. Kështu, Caka-Nimani përfundon mandatin e kryetares së kësaj gjykate më 17 maj të këtij viti, derisa mandatin si gjyqtare e kësaj gjykate e përfundon më 30 dhjetor 2024.
Më 30 dhjetor 2015, në të njëjtën datë me Caka-Nimani, gjykatësja Selvete Gërxhaliu-Krasniqi ishte dekretuar nga Presidenti si gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kështu, më 30 dhjetor 2024, edhe Gërxhaliu-Krasniqit i përfundon mandati i saj si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Si rrjedhojë në fund të këtij viti, pas përfundimit të mandatit të gjykatëses Caka-Nimani dhe gjykatëses Gërxhaliu-Krasniqi, Gjykata Kushtetuese mbetet me 6 gjyqtarë.
Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, “Gjykata Kushtetuese ka kuorum nëse janë të pranishëm shtatë (7) gjyqtarë”. Andaj, nëse deri me këtë datë Kuvendi nuk propozon gjyqtarët e rinj për dekretim tek Presidentja, Gjykata Kushtetuese mbetet pa kuorum
Si dhe sa procese kishin dështuar për përzgjedhje e gjykatësve në Kushtetuese?
Nga viti 2022 kanë dështuar 4 procese për plotësimin e pozitave të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.
Më 5 maj 2022, në raundin e dytë të votimit në Kuvend, nga 97 deputetë që morën pjesë, u shënjuan dy vota të pavlefshme. Asnjëri nga kandidatët e propozuar nuk mori votat e mjaftueshme për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Kushtetutës [neni 114] vendimi për të propozuar gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese varet nga 2/3 e të gjithë deputetëve të Kuvendit që marrin pjesë dhe votojnë. Kështu, në këtë rast, për propozimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ndonjëri nga kandidatët do duhej të merrte gjithsej 64 vota. Kjo nuk ndodhi. Rezultatet zyrtare tregojnë se kandidati Albert Avdiu ka fituar 60 vota, Bardh Bokshi 52 vota dhe Etrur Maloku 39 vota.
Po në të njëjtin vit dështoi edhe propozimi i tre kandidateve për shkak të votave të pamjaftueshme të deputetëve. Në këtë raund votimi nga Kuvendi ishin 94 deputetë nga të cilët 49 votuan Vigan Qorrollin, aktualisht zëvendësministër i Drejtësisë, 38 votuan Haxhi Xhemajlin, dhe 7 fletëvotime ishin të pavlefshme.
Shumica e votave të nevojshme për propozimin e gjykatësve të rinj të Gjykatës Kushtetuese nuk u arrit as në seancën e mbajtur më 26 maj 2023. Në raundin e parë të votimit të fshehtë, morën pjesë 97 deputetë, ku të pavlefshme ishin 6 fletëvotime. Kandidati Hasan Shala mori 42 vota, Bardh Bokshi 40 vota dhe Emrush Kastrati 9 vota, vota të cilat ishin të pamjaftueshme për t’u konsideruar i suksesshëm votimi.
Njëjtë ndodhi edhe në seancën e 15 qershorit 2022, ku Kuvendi i Kosovës nuk arriti as në raundin e dytë të zgjedh një gjykatës për Kushtetuesen. Në këtë raund votimi, kandidatë ishin Hasan Shala dhe Bardh Bokshi, ku Shala mori 44 vota, ndërsa Bokshi 46.
Kështu, kjo Gjykatë ka kohë që vazhdon të funksionojë pa përbërje të plotë, por nëse vazhdon kështu, në mungesë të kuorumit, vendimmarrja do të pezullohet më 30 dhjetor 2024.
Çka ndodh nëse Gjykata Kushtetuese mbetet pa kuorum?
Nëse nuk dekretohet gjyqtarët e rinj, nga data 30 dhjetor 2024, Gjykata Kushtetuese do të jetë jo funksionale dhe nuk do të mund të ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë e saj pasi e njëjta do të mbetet pa kuorum. Në një situatë të tillë nuk do të funksionojë institucioni kryesor për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të drejtave dhe lirive të qytetarëve, pasi ky mekanizëm nuk do të mund të trajtojë kërkesat e parashtruara.
Të gjithë qytetarët, rastet e të cilave janë duke u trajtuar apo do të deponohen në ndërkohë, nuk do të kenë qasje në këtë Gjykatë.
Në anën tjetër, të gjitha projektligjet që kontestohen nga 10 apo më shumë deputetë, para se të njëjtat të dërgohen për dekretim tek Presidentja, do të mbesin të pezulluara.
Nëse Kuvendi përfundon mandatin e rregullt, zgjedhjet parlamentare më së voni duhet të mbahen më 16 shkurt 2025. Mos dekretimi i gjyqtarëve të rinj do të bëjë që Gjykata Kushtetuese do të jetë jofunksionale gjatë mbajtjes së zgjedhjeve, konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së Qeverisë etj.
Çka synoi të bëjë Qeveria me Gjykatën Kushtetuese?
Në fund të vitit 2023, Qeveria prezantoi një Draft të Strategjisë Kundër Korrupsion që nuk u miratua. Në faqen 12 të Draft Strategjisë thuhet se “Modeli i përsëritur i kompleksiteteve që rrjedhin nga procesi i emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe ndërveprimi i tij me procesin gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese, nënvizojnë domosdoshmërinë e adresimit të çështjes së mbikëqyrjes së drejtpërdrejtë kushtetuese të rregullave, rregulloreve dhe vendimeve të të dy këshillave në kuadër të sistemit gjyqësor…. Strategjia do të përfshijë masa që synojnë vendosjen e mbikëqyrjes së drejtpërdrejtë kushtetuese të akteve nënligjore dhe vendimeve të sistemit gjyqësor…”.
Tutje, në faqe 13 të Draft-Strategjisë nënvizohet se Qeveria “…[do] të sigurojë mbikëqyrje kushtetuese të vendimeve të miratuara nga KGJK-ja dhe KPK-ja”. Një ndër aktivitetet e përcaktuara në Planin e Veprimit të Draft Strategjisë është “Hartimi dhe miratimi i plotësim-ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese për të siguruar mbikëqyrjen e rregullave dhe vendimeve të KGJK-së dhe KPK-së”.
Në janar të këtij viti, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) publikoi analizën “Kosova pa Strategji kundër Korrupsionit”. Sipas raportit të IKD, kjo zgjidhje është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe parimet mbi të cilat funksionon gjyqësia kushtetuese.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 4 ka përcaktuar dispozitat që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve. Përballë pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe atij gjyqësor, janë dy institucione të cilat funksionojnë jashtë kësaj ndarje: Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese. Kështu, përcaktimi i Gjykatës Kushtetuese si institucion mbikëqyrës i institucioneve të sistemit të drejtësisë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për më tepër, ky model i përcaktuar në Draft Strategji është po ashtu në kundërshtim me vet konceptin e gjyqësisë kushtetuese. Neni 4.6. i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se “Gjykata Kushtetuese është organ i pavarur i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës”, ndërsa neni 113.1. i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se “Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar”. Kështu, nuk është në natyrën e një institucioni si Gjykata Kushtetuese që të shërbejë si organ mbikëqyrës i një institucioni tjetër të KGJK dhe KPK”, thuhej në raportin e publikuar nga IKD.
Tutje, raporti i IKD-së theksonte se vendimet e KGJK-së dhe KPK-së nuk janë jashtë orbitës së mbikëqyrjes së Gjykatës Kushtetuese. Por, kjo mbikëqyrje ushtrohet në mënyrën se si zhvillohet drejtësia kushtetuese, përmes rasteve të iniciuara.
“Kështu, në secilin rast, secila prej palëve të autorizuara për të ngritur rast pranë Gjykatës Kushtetuese, mund të ngrisë rast edhe ndaj vendimit të KPK dhe KGJK. Duhet vënë këtu vëmendjen tek fakti se kjo Gjykatë ka anuluar vendimin e KPK për propozimin e Kryeprokurorit të Shtetit (Shih rastin e Gjykatës, nr. KI99/14 dhe 100/14, me parashtrues Shyqyri Syla dhe Laura Pula, Aktgjykim i 8 korrikut 2014), vendimin e KGJK për propozimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme (Shih rastin e Gjykatës, nr. KI34/17, me parashtrues Valdete Daka, aktgjykim i 12 qershorit 2017), vendimin e KGJK për emërimin e Kryetarit të Gjykatës së Apelit (Shih rastin e Gjykatës, nr. KI55/77, me parashtrues Tonka Berisha, Aktgjykim i 17 korrikut 2017) etj. Kështu, vendimet e KGjK dhe KPK nuk përjashtohen nga juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo, veprimi i Gjykatës Kushtetuese në këto raste vepron në përputhje me konceptin e funksionimit normal të Gjyqësisë Kushtetuese dhe jo përmes një modeli të panjohur në Drejtësinë Kushtetuese bashkëkohore, atë të përcaktimit të Gjykatës Kushtetuese si institucion mbikëqyrës i një institucioni tjetër”, theksohet në raportin e IKD-së.