Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, është pritur në takim edhe nga kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, pas takimit me Lajçak, deklaroi që Aleanca ende mban qëndrimin e njëjtë sa i përket marrëveshjes së dakorduar në Bruksel, e propozuar nga Bashkimi Evropian, derisa shtoi që Kosova mund të ecë përpara nga kjo marrëveshje.
“Sot e patëm një takim të vlefshëm me kryetarin Haradinaj dhe një pjesë e Aleancës me përfaqësuesin Lajçak. U konfirmuan ato që Aleanca i ka thënë për një kohë të mjaftueshme. Ne mendojmë që Kosova është në një moment të rëndësishëm, mendojmë që mund të ecë përpara me një marrëveshje e cila është propozuar nga BE. E kemi të qartë që do të ketë punë edhe në vazhdimësi”, deklaroi Gjini para medieve
Njëherit, Gjini tha se brenda kësaj marrëveshje, ka të arritura serioze, e që sipas tij, do krijojnë marrëdhënie krejtësisht të reja mes Kosovës dhe Serbisë, raporton teve1.info.
“Po ashtu, patëm insistime që detaje të vogla të sqarohen. Nuk ka ndryshim nga qëndrimi i Aleancës. Ne e mbështesim një marrëveshje të tillë mes Kosovës dhe Serbisë”, potencoi tutje ai.
Ndërkaq, i pyetur a do e mbështesë AAK këtë marrëveshje në qoftë se dërgohet në Kuvend, ky i fundit tha se plotësisht do e ketë mbështetjen e Aleancës, derisa theksoi që një gjë të tillë ka deklaruar edhe vetë kryetari Haradinaj./teve1.info/.