Analisti i emisionit sportiv “VAR” në Tëvë 1, Robert Gjeraj është vlerësuar nga Komuna e Prizrenit, saktësisht nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport për punën dhe rezultatet e arritura si trajner futboll.
Në ceremoninë “Laureatët 2025” të mbajtur në Prizren, Gjeraj është nderuar me mirënjohjen trajner i dalluar në vitin 2025, çmim ky që i është ndarë edhe dy trajnerëve tjerë të kësaj komune.
Kjo është hera e dytë që Gjeraj vlerësohet si trajner i dalluar nga Komuna e Prizrenit, ndërsa këtë çmim e ka ndarë me të gjithë ata që ka punuar, duke shtuar se do të vazhdojë të punojë edhe më shumë.
Aktualisht, Gjeraj është trajner i Drinit të Bardhë, ekip që për herë të parë e ka promovuar në Ligën e Dytë të Kosovës, ku stinorin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e pestë në tabelë.
Gjeraj, i cili ka një karrierë të pasur si futbollist, tashmë disa vjet ushtron zejen e trajnerit me sukses dhe është pjesë e pandashme e emisionit sportiv “VAR” në Tëvë 1, si analist.








