Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake në një shtëpi të pabanuar në fshatin Padinë të Zubin Potokut.
Sipas raportit 24-orësh, gjatë patrullimit në zonë, zyrtarët policorë kanë hasur në disa mjete të dyshimta, përfshirë 15 fishekë të mbushur dhe 11 fishekë të zbrazur të pushkës së gjuetisë.
Po ashtu, në vendngjarje janë gjetur edhe një makinë për mbushjen e fishekëve, një sasi baruti, diabola si dhe një pjesë e një uniforme ushtarake.
Policia ka bërë të ditur se rasti është iniciuar si “armëmbajtje pa leje”, ndërsa aktualisht nuk ka persona të dyshuar.
“Policia gjatë patrullimit në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe konfiskuar municion të pushkës së gjuetisë: 15 copë fishekë të mbushur, 11 fishekë të zbrazur, një makinë për mbushjen e fishekëve, një sasi baruti, diabola dhe një pjesë uniforme ushtarake. Nuk ka të dyshuar, rasti nën hetime”, thuhet në raportin policor.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.











