Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se kanë rifilluar gërmimet vlerësuese në Rahovec, më saktësisht në lokacionin e njohur në evidencat kadastrale dhe nga komuniteti lokal si “Përzhina”, në vijim të punimeve të realizuara gjatë vitit të kaluar në këtë zonë.
Gjatë gërmimeve të realizuara sot janë gjetur mbetje mortore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar për ekzaminim në Institutin për Mjekësi Ligjore, në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet forenzike.
“Numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të mund të konfirmohen vetëm pas përfundimit të analizave përkatëse forenzike”, thuhet në komunikatë.
Edhe vitin e kaluar gjatë gërmive në këtë hapësirë ishin gjetur mbetje mortore, gërmimet ishin ndërprerë përkohsisht për shkak të kushteve atmosferike dhe verifikime e inforamcone shtesë.
“Në përputhje me planifikimet dhe pas krijimit të kushteve për vazhdimin e aktiviteteve, ekipet e institucioneve kompetente, përkatësisht ekipet mjekoligjore të Institutit për Mjekësi Ligjore përfshirë edhe ekspertët e EULEX-it, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës- Sektori për Persona të Zhdukur , në zbatim të urdhëresës për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, janë rikthyer në këtë lokacion për të vazhduar gërmimet dhe verifikimet në terren”, thuhet në komunikatë.








