Gjatë vizitës së punës në selinë e NATOS, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla pati një takim të përzemërt me znj. Irene Fellin, Përfaqësuese e Posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Grave, Paqes dhe Sigurisë.
Gjatë kësaj bisede, ministrja Gërvalla ndau me znj. Fellin përvojën e Republikës së Kosovës në forcimin e pozicionit të gruas në profesione të fushës së sigurisë, shembujt e shumtë të profesionisteve të jashtëzakonshme në të gjitha strukturat e larta të sigurisë, rolin e fuqishëm të gruas në përgjithësi si dhe përpjekjet e institucioneve për të hapur, përmes formave të ndryshme të stimulimit, horizonte të pashkelura profesionale për vajzat dhe gratë e reja në Kosovë.
“Biseda u përqendrua edhe në përvojën e dhimbshme të më shumë se 20 mijë grave, fëmijëve dhe burrave në Kosovë, të cilët mbijetuan dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e cila u përdor si armë lufte kundër tyre”, thuhet në komunikatë..
Ministrja Gërvalla shprehu gatishmërinë e institucioneve dhe shoqërisë civile për të kontribuar në Ukrainë me përvojën e mbledhur përgjatë viteve në trajtimin e nevojave të të mbijetuarve.
“Duke marrë në konsideratë faktin që autorët e dhunës seksuale si armë lufte ndaj qytetareve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk u ballafaquan asnjëherë me drejtësinë, ministrja Gërvalla vuri në pah nevojën e një angazhimi të bashkësisë ndërkombëtare për t’ia bërë me dije Serbisë urgjencën dhe domosdoshmërinë e dënimit të autorëve të krimit nga radhët e policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të ardhur nga Serbia”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.