Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, që zhvillohet më 8 dhe 9 tetor, në Belfast të Irlandës së Veriut.
Në njoftimin zyrtat të Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se, në këtë takim po merr pjesë edhe Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
“Takimi i Ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit bashkon ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të shteteve pjesëmarrëse në këtë proces”, thuhet në njoftim.
Sipas MPJD-së, në fokus të diskutimeve të këtij viti janë temat e sigurisë dhe zhvillimit rajonal si dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit përballë sfidave dhe kërcënimeve të përbashkëta në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme.
Gjatë punimeve të këtij procesi, Gërvalla do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me homologë dhe përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse.
Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014, mbetet nisma qendrore për bashkëpunim politik, ekonomik dhe shoqëror mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve evropianë.