Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka organizuar sot edicionin e 8-të të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, një ngjarje e rëndësishme vjetore që mbledh përfaqësuesit diplomatikë nga e gjithë bota për të reflektuar mbi punën e bërë, për të vlerësuar rezultatet dhe për të përcaktuar prioritetet e vitit të ardhshëm.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministra, zëvendësministra, shefa të misioneve diplomatike dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kurti theksoi se rrjeti diplomatik i Kosovës është zgjeruar më shumë se kurrë në historinë e saj, duke përfshirë 53 përfaqësi në gjashtë kontinente. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkërendimit të punës së ambasadave dhe konsullatave në harmoni të plotë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për të përfaqësuar interesat e vendit me një zë të unifikuar.
Duke iu referuar sfidave globale dhe rajonale, përfshirë agresionin rus në Ukrainë dhe përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin e Kosovës, Kurti theksoi se diplomacia kosovare duhet të jetë aktive, duke luftuar propagandën me promovim të vazhdueshëm të arritjeve të vendit.
Ai u shpreh se, ndonëse Serbia ka mjete financiare më të mëdha për lobim, Kosova ka një kauzë të drejtë dhe përkushtim të palëkundur për paqe dhe siguri, vlera këto që nuk mund të blihen.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për angazhimin e ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë, duke vlerësuar kontributin e tyre të përditshëm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, derisa ka përshëndetur punën dhe angazhimin e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës nëpër botë, theksoi reformat thelbësore që MPJD ka ndërmarrë gjatë vitit të fundit, duke vendosur standarde të reja të transparencës dhe menaxhimit të përgjegjshëm financiar, si në MPJD, edhe në misionet diplomatike.
“Kosova sot flet me një zë më të fortë në botë. Ne kemi reformuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kemi vendosur rregull dhe transparencë në çdo euro të shpenzuar, kemi përmirësuar ndjeshëm shërbimet konsullore dhe kemi kthyer kursimet në diplomaci ekonomike, publike e kulturore” tha Gërvalla, thuhet në komunikatën e ministrisë.
Ministrja Gërvalla, po ashtu theksoi rëndësinë e forcimit të diplomacisë ekonomike dhe publike, përfshirë mbështetjen e bizneseve kosovare në tregje ndërkombëtare dhe promovimin e imazhit të Kosovës jashtë vendit. Ajo nënvizoi arritjen e dy njohjeve të reja të shtetësisë dhe anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si dëshmi të punës së koordinuar diplomatike.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua përmirësimit të shërbimeve konsullore, dixhitalizimit të procedurave dhe përzgjedhjes së stafit diplomatik e konsullor mbi bazën e meritokracisë, integritetit dhe përvojës profesionale. Ministrja theksoi gjithashtu se mërgata mbetet një aset i çmuar për Kosovën dhe se qasja ndaj saj është gjithëpërfshirëse, nga kultura dhe arsimi te ekonomia dhe teknologjia.
Duke iu referuar situatës gjeopolitike, znj. Gërvalla e cilësoi Kosovën si pjesë të palëkundur të kampit të demokracive me orientim euroatlantik, duke theksuar nevojën për unitet të brendshëm dhe veprim proaktiv në arenën ndërkombëtare. Ajo shtoi se veprimet e Serbisë për të minuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe për të destabilizuar vendin paraqesin një rrezik real, ndaj të cilit Kosova i përgjigjet me vendosmëri në bashkëpunim me aleatët.
“Serbia mbetet një rrezik real për stabilitetin e vendit tonë. Ajo financon dhe udhëzon struktura ilegale kriminale në veri dhe punon çdo ditë për të minuar subjektivitetin tonë ndërkombëtar. Ne i kundërvihemi me vendosmëri dhe së bashku me aleatët tanë do të sigurojmë që kërcënimet e saj të mos shndërrohen kurrë në realitet” theksoi Ministrja Gërvalla.
Në përmbyllje të fjalimit të saj, Ministrja Gërvalla theksoi se viti i ardhshëm do të jetë i bazuar në planifikim të kujdesshëm dhe koordinim të ngushtë, me qëllim forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe mbrojtjen e interesave tona në çdo forum. “Në këtë periudhë të sfidave gjeopolitike, Kosova qëndron fort në krahun e demokracive, me një orientim të palëkundur euroatlantik” tha Ministrja Gërvalla.
Konferenca e 8-të e Ambasadorëve do të vijojë punimet përgjatë tri ditëve me sesione të dedikuara për planifikimin strategjik të politikës së jashtme dhe forcimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtar