Në kohën kur protesta të fuqishme po zhvillohen në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq pritet të organizojë paradën më të madhe ushtarake ndonjëherë.
Një ditë para protestës, Vuçiq deklaroi se qytetarët do të kenë rastin të shohin “fuqinë e ushtrisë serbe”.
Këto veprime të liderit autoritar serb janë kritikuar nga gazetari, Nikola Kërstiq, i cili thotë se Vuçiq është frymëzuar nga parada e madhe ushtarake e organizuar nga Vladimir Putin disa muaj më parë në Kremlin.
“Kjo paradë sërish vërteton natyrën autoritare të Aleksandar Vuçiqit. Qysh prej dhjetë muajsh njerëzit dalin në rrugë për të protestuar për liri kundër regjimit autoritar. Vuçiq u frymëzua nga parada e madhe ushtarake në Kremlin disa muaj më parë, prandaj po bën veprime të ngjashme”, deklaroi Kërstiq.
Gazetari Kërstiq thekson se presidenti i Serbisë nuk është shkëputur ende nga mendësia e viteve të 90-ta.
“Ai nuk mund të shkëputet nga e kaluara: dikur ishte pjesë e të njëjtës parti me kriminelin e luftës Vojislav Sheshel, dhe për këtë arsye ka në natyrë të tregojë forcën me veprime të tilla. Megjithatë, mendoj se këto janë taktikat e tij të fundit para rënies nga pushteti”.
Sipas tij, parada mund të interpretohet si provokim për vendet e rajonit, megjithëse është i bindur se Vuçiq nuk synon të nisë konflikte të reja.
“Vuçiq mund të bëjë provokime të tilla, por nuk jemi më në vitet ’90. Ai mund të dërgojë mesazhe frike dhe kërcënuese ndaj vendeve fqinje, por nuk mund të shkojë përtej kaq; nuk besoj se është njeri që do të hyjë në luftë me botën”, tha ai.
Parada ushtarake do të mbahet më 20 shtator në Beograd, në Ditën e Bashkimit, Lirisë dhe Flamurit serb, e cila shënohet së bashku nga Serbia dhe Republika Serbe.
Ndërkohë, Serbia mbetet vendi i Ballkanit Perëndimor që ka shpenzuar më shumë për ushtrinë gjatë pesë viteve të fundit.