Në autostradën “Ibrahim Rugova”, Policia e Kosovës ka shqiptuar gjoba ndaj 21 shoferëve dhe kanë konfiskuar një veturë pasi e njëjta nuk ka poseduar regjistrim.
Kjo pasi policia ka pranuar informatë se ky numër i personave po përgatiteshin për gara shpejtësie, raporton teve1.info.
“Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit.Me datën 28.01.2023, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në autostradën “Ibrahim Rugova” ka një numër të automjeteve të cilat dyshohet se po përgatiteshin të mbanin gara shpejtësie. Policia me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe parandalimit të rrezikimit të pjesëmarrësve në trafik ka ndërmarr veprime të menjëhershme ku ka arritur të identifikoj një numër të personave dhe automjeteve me ç’rast ndaj 21 shoferëve janë shqiptuar gjoba sipas ligjit për rregullat e trafikut dhe 1 automjet është konfiskuar pasi që i njëjti nuk ka poseduar regjistrim”, thuhet në njoftimin e policisë.
Derisa kanë theksuar se të gjithë pjesëmarrësit në trafik e në veçanti shoferët e automjeteve të cilët bëjnë shkelje të ligjeve dhe rregullave të trafikut, përfshirë edhe organizimin e garave jashtë rregullave ligjore, do të ndërmerret masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi./teve1.info/.