Në tremujorin e parë të vitit 2024, planifikohet që 28 për qind e qytetarëve të Kosovës mbi moshën 18 vjeçare të emigrojnë pas liberalizimit të vizave. Ndërkaq, sektorët që pritet të preken më së shumti nga largimi i punonjësve në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë, hotelerisë dhe gastronomisë me 18.7 përqind, pastaj tregtisë dhe prodhimit.
Kështu u bë e ditur në konferencën e organizuar nga Instituti GAP me temën “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: ndikimi në fuqinë punëtore”, ku u tha se arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar.
Hulumtuesja e lartë në Institutin GAP, Anisa Zogaj e quan shqetësues faktin se në mes të vitit 2021 me vitin 2022 llogaritet se fuqia punëtore është zvogëluar për 21 mijë e 571 punëtorë, si pasojë e emigrimit.
Ajo theksoi se sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme janë ata të sektorit të ndërtimtarisë, hotelerisë dhe gastronomisë me 18.7 për qind, pastaj tregtisë 18.1 për qind dhe prodhimit 12.9 për qind.
Zogaj potencoi se disa nga kërkesat e anketuesve për të mos migruar janë pagat më të mira (32 për qind) përmirësimi i kushteve në punë (29 për qind) dhe përmirësimi i kushteve në shëndetësi dhe arsim.
Ndërkaq, hulumtuesi i lartë në Institutin GAP, Blendi Hasaj tha se përmes anketës me mbi 1 mijë persona janë fokusuar në dinamikat që do të ndodhin në tregun e punës pas liberalizimit të vizave.
Ai tha se kanë analizuar nxitësit kryesor që kanë ndokuar më vendimin për largim nga vendi.
Hasaj theksoi se në periudhën 2012/2021 rreth 338 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova.
Ai shtoi se liberalizimi i vizave sjell probleme në ekonomi, duke përfshirë mungesën e punonjësve në treg./kp