Fondi i Ballkanit Perëndimor po cilësohet si një iniciativë thelbësore për të afruar më shumë popullatën e rajonit dhe për të mbështetur integrimin e shteteve të tij në Bashkimin Evropian.
Ky fond është një mundësi për të financuar projekte që promovojnë bashkëpunimin dhe zhvillimin ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke kontribuar në stabilitetin dhe integrimin rajonal.
Menaxherja e programit në Fondin e Ballkanit Perëndimor, Dafina Beqiri, theksoi se ky Fond është krijuar për të mundësuar financimin e projekteve në partneritet me organizata nga shtete të ndryshme të Ballkanit.
Beqiri ka thënë se ky mekanizëm ndihmon në forcimin e bashkëpunimit dhe integrimin ndërkombëtar, duke kontribuar në zhvillimin e përbashkët të rajonit dhe ngritjen e standardeve që lidhen me aspiratat e integrimit evropian.
Ajo ka theksuar se deri tani Fondi ka mbështetur më shumë se 100 projekte gjatë pesë viteve të fundit rajon, prej tyre rreth 30 kanë qenë vetëm për Kosovë.
Beqiri ka shtuar se akterët e rajonit, që përfshijnë autoritetet dhe organizatat, janë ata që përcaktojnë nevojat dhe standardet që duhet të arrihen për të mundësuar integrimin në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu ajo foli për projektet e reja që janë në zhvillim, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimësisë së mbështetjes për zhvillimin e rajonit dhe avancimin drejt BE-së.
“Fondi i Ballkanit Perëndimor është si një iniciativë në vetvete, është krijuar për të përafruar njerëzit në rajon ku së bashku gjithë synojmë integrimin evropian. Por ideja është që fondi si fond, vet emri tregon se është krijuar për të financuar projekte të ndryshme, të cilat zakonisht financohet në partneritet me organizata nga rajoni. Për shembull, nëse një projekti që financohet në Kosovë, duhet të ketë edhe dy partnerë tjerë në dy shtete tjera. Deri tani, Fondi ka financuar mbi 100 projekte gjatë pesë viteve të fundit. Ne si fond nuk themi se kemi ekspertizën, e dimë se çka kërkon rajoni. Ne e lëmë rajonin komplet të lirë që të na tregojë se cila është nevoja….Ata na tregojnë se cilat standarde duhet plotësuar (Akteret si DhTIK, Esra, Maqedonia, ekspertet). Kjo e bënë fondin më të veçantë, sepse ne nuk e marrim atë pronësinë mbi projektin. Ne lëmë akteret të informojnë, si fillim rajonin, qeverisjen e vet dhe shoqërinë, komunitetin, se çka duhet realizuar për të na përfaruar sa më afër Unionit Evropian”, ka thënë ajo në një intervistë për KosovaPress.
Beqiri ka thënë se Fondi ofron mundësi për financimin e projekteve nëpërmjet disa skemave grantesh, ku përfshihet mbështetje deri në 30 mijë euro për projekte, duke pasur një partneritet të fortë me Ministritë e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian, raporton KosovaPress.
Ajo ka përmendur gjithashtu se ka skema granteshpër mobilitet individual, që mund të mbështeten deri në 5 mijë euro nga Qeveria e Zvicrës.
“Çdo grant – skemë që e kemi ne nuk japim projekte një shteti më pak apo më shumë. Nëse kemi fonde për pesë projekte për shtet, ne japim pesë projekte për shtet. D.m.th projektet e Kosovës konkurrojnë me Kosovën, nuk konkurrojnë me rajonin. Dhe kjo e bënë fondin të veçantë, sepse nuk krijon disbalance rajonale, por i jep mundësi që atyre akterëve që më të vërtetë e dëshirojnë bashkëpunimin rajonal, ua jep mundësinë për të qenë më afër në rajon. Nëse 100 projekte përafërsisht, se shifra e saktë është më e madhe, diku duhet të jetë proporcionale. Nëse është 120, vetëm Kosova pesë vitet e fundit i ka pas diku rreth 30 projekte…Fondi ka skema të ndryshme të granteve. Një prej skemave me të cilën ka filluar fondi, është fut në tregun e dhënies së granteve është ajo 15 mijë euro, ku faktikisht ajo skemë e granteve është financuar dhe vazhdon të financohet nga Ministritë e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor. Pastaj, është bashkangjitur Unioni Evropian ku na ka rrit vlerën e financimit dhe kemi dhënë grante deri në 30 mijëeuro, si dhe kemi edhe Qeverinë e Zvicrës, e cila na ndihmon me projekte për mobilitet individuale që janë deri në 5 mijjë euro”, është shprehur Beqiri.
Ajo ka theksuar se Fondi nuk ka për qëllim të imponojë projekte, por më shumë të propozojë zgjidhje, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët në rajon për të arritur qëllime të përbashkëta. Siç thotë ajo, ky bashkëpunim ka sjellë përparime të dukshme, siç është vetëdijesimi i Qeverisë së Kosovës për standardet që duhet të përmbushen për të arritur më afër BE-së.
“Projekti si projekt e dimë saktë se nuk gjen zgjidhje, por propozon zgjidhje. E dimë që jo i gjithë rajoni është njëlloj i gatshëm për t’i adaptuar ato zgjidhje, por duke bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme me akterë të ndryshëm, ne kemi parë si në këtë rast Dhomën e Tregtisë kanë arrit që të vetëdijesojnë edhe Qeverinë e Kosovës për disa standarde të cilat nuk janë konform Unionit Evropian, apo nuk janë konform të drejtave të njeriut. D. m. th. ka arrit që të vetëdijesojë jo vetëm komunitetin me të cilin bashkëpunon, por të vetëdijesojë edhe vet vendimmarrjen. Kështu, duke bashkëpunuar në vazhdimësi me partnerë si DhTIK, me partnerë të ndryshëm nga Kosova, jo veç ata, por edhe neve na kanë vetëdijesuar. Ku edhe ne përmes Ministrive të Punëve të Jashtme nga të cilët jemi themeluar kemi ngrit çështje, një lloj marrëdhënie partneriteti. Ne kurrë nuk i trajtojmë përfituesit tanë si ne jemi donator dhe ju duhet të implementoni projektin. Jo, ne mësojmë bashkë dhe ecim bashkë në këtë rrugë dhe kjo na bënë të krijojmë një marrëdhënie shumë më të afërt dhe të krijojmë një lloj qëndrueshmërie për të parë se sa ka ndikuar projekti nëvijim”, ka thënë ajo.
Në fund, Beqiri ka vlerësuar bashkëpunimin e fortë të Fondit me qeveritë e rajonit dhe synon të vazhdojë mbështetje për projekte të reja, duke adresuar çështjet emergjente dhe nevojat që dalin gjatë procesit të implementimit të projekteve, me fokus të veçantë në përmirësimin e kushteve për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
“Fondi bashkëpunon jashtëzakonisht shumë mirë me gjithëkornizat qeverisëse të Kosovës dhe gjithë rajonit. D.m.th ne kemi një statut i cili respektohet jashtëzakonisht shumë nga vendimmarrësit. Ka shumë raste edhe kur befasohen dhe akterët tjerë, organizata tjera të mëdha se si fondi arrin t’i bëjë bashkë gjitha qeveritë me një vend, por kjo është falëvullnetit që ata kanë për të krijuar zhvillimin rajonal, të cilin gjithë e kemi synim për të ardhmen… Për momentin sa e kemi mbyll thirrjen me Unionin Evropian, synon diku rreth 35 projekte të financojë për këtë gjashtëmujor, d.m.thnga prilli deri në tetor duhet të mbyllet dhe jemi në vlerësim të procesit. Besoj se shumë shpejtë do të dalim me rezultate dhe vitin e ardhshëm sërish me Unionin Evropian do të pasurojmë grante skemat tona të shohim se ku ka nevojë. Sepse kemi arrit atë ciklin ku ne bëjmë vlerësimin se sa kemi arrit me secilën grante skemë në mënyrë që të adresojmë çështjet më emergjente për shoqërinë”, ka nënvizuar Beqiri.
Objektiv tjetër i Fondit është të nxisë bashkëpunimin midis pjesëtarëve, te fuqizojë marrëdhëniet dhe kohezionin rajonal, si dhe te nxisë e promovojë integrimin në Bashkimin Evropian.
Po ashtu fondi është një shembull i angazhimit të Bashkimit Evropian për të ndihmuar rajonin e Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e kushteve të integrimit dhe realizimin e potencialeve të tij.
Vendet që bëjnë pjesë në këtë fond janë, Kosova, Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.