Futbolli i Amerikës së Jugut për herë të shtatë rresht do të ketë fitues një ekip brazilian.
Më 29 nëntor, Flamengo e Rio de Janeiros dhe Palmeirasi i Sao Paulos, dy prej klubeve më të njohura braziliane, do të përballen në Lima të Perusë në finale të “Copa Libertadores”.
Do të jetë hera e pestë në gjashtë vjetët e fundit dhe hera e shtatë në përgjithësi, që në finale përballen dy skuadra braziliane.
“Copa Libertadores” në Amerikën e Jugut është ekuivalente me Ligën e Kampionëve në Evropë.
Palmeiras, që gjatë kësaj periudhe ka fituar tre trofe kontinental, e siguroi paraqitjen në finale të enjten pasi ishte më i suksesshëm se LDU Quito nga Ekuadori, ndonëse ishte në disavantazh 3:0 nga ndeshja e parë.
Palmeiras fitoi 4:0 për të avancuar tutje.
Ndërkohë, Flamengo, që ka triumfuar në “Copa Libertadores” në vitet 1981, 2019 dhe 2022, e eliminoi Racing Clubin të mërkurën. E kishte fituar 1:0 ndeshjen e parë, ndërsa të mërkurën barazoi pa gola në Avellaneda të Argjentinës.
 
			










