Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, mbajti një takim pune me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, në kuadër të fillimit të implementimit të hallkave elektronike për parandalimin e dhunës në familje.
Në takim morën pjesë prokurorë të Prokurorisë Themelore në Prizren, gjyqtarë të rajonit, përfaqësues të Policisë Rajonale, avokatë, si dhe përfaqësues të Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave dhe të Shërbimit Sprovues. Qëllimi i takimit ishte koordinimi institucional dhe fillimi i zbatimit të kësaj mase për personat ndaj të cilëve gjykata ka shqiptuar masën e kufizimit të lëvizjes.
Gjatë diskutimeve, u theksua se hallkat elektronike përbëjnë një mjet modern dhe efektiv për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe për forcimin e reagimit institucional në raste të tilla.
Përfaqësuesit e Policisë prezantuan mënyrën e vendosjes së pajisjeve, ndërlidhjen me sistemin e monitorimit dhe procedurat që ndërmerren në rast të shkeljes së masës së kufizimit të lëvizjes.
Kryeprokurori Petrit Kryeziu theksoi se ky proces shënon një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes më efikase të viktimave dhe zbatimit të vendimeve gjyqësore.
Ai vuri në dukje se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Prokurorisë, Policisë dhe Gjykatës është thelbësor për zbatimin e suksesshëm të kësaj mase dhe për parandalimin e rasteve të përsëritura të dhunës.
Në takim, fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, drejtori i policisë rajonale në Prizren, kolonel Faton Alija, dhe kryetari i OAK – dega Prizren, Blerim Mazreku, të cilët theksuan rëndësinë e implementimit të hallkave elektronike si mjet mbrojtjeje për viktimat në rastet me masa kufizuese të lëvizjes.
Në përfundim, pjesëmarrësit u dakorduan që të ndërmerren hapa konkretë për zbatimin praktik të kësaj mase dhe për sigurimin e informimit të vazhdueshëm ndërinstitucional mbi funksionimin e sistemit të mbikëqyrjes elektronike.







