Sir Alex Ferguson ishte prezent në triumfin e Manchester United në Kupën e Ligës përballë Newcastle (2-0). 81-vjeçari skocez ndoqi nga tribunat e “Wembley” triumfin e skuadrës së tij të zemrës. Legjenda skoceze festoi si çdo tifoz tjetër fitimin e trofeut, sukses që United i mungonte prej gjashtë vitesh.
Ferguson fitoi 13 tituj të Premier League dhe shumë trofe të tjerë gjatë periudhës së lavdishme në “Old Trafford”. Ai vijon kontributin e tij te “Djajtë e Kuq” nëpërmjet këshillave taktike për trajnerin Erik ten Hag.
Në një intervistë për shtypin anglez, legjenda e trajningut komentoi formën fantastike të Marcus Rashford, autori i golit të dytë në finale. 25-vjeçari, deri më tani ka shënuar 25 gola për United në të gjitha kompeticionet. Ferguson vlerësoi kontributin e sulmuesit anglez, por mendon se ai nuk është një sulmues i mirëfilltë.
“Unë nuk mendoj se ai është një sulmues tipik. Marcus operon në linjën e majtë, ai ka qenë fantastik. Finalizimi i tij është perfekt. Rashford gjuan gjithmonë poshtë, kjo është vërtetë e rëndësishme për një sulmues. Ai është burimi kryesor i golave. Pavarësisht se roli i tij nuk është sulmues kryesor, ai po e bën atë“.











