Përfaqësuesi i autorizuar i familjes së të ndjerit Agonis Tetaj, avokat Berat Tmava, të enjten ka kërkuar nga Gjykata e Apelit ashpërsim të dënimit ndaj Shaban Gogaj, i cili është dënuar për vrasjen e Tetaj, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Gogajt, avokat Besnik Berisha, propozoi zbutje të dënimit.
Avokati Tmava po ashtu në ankesën e tij ka propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështje të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të dënuarit Gogaj, avokati Berisha, ka propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim më i butë, ngase sipas tij, dënimi është maksimal.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Gjilan me parashtresë ka propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështja të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje ose aktgjykimi të ndryshohet.
Ndryshe, më 14 tetor 2022, Gogaj ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim, për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.
Në seancën e sotme këto ankesa janë shqyrtuar nga kolegji në përbërje të gjyqtarëve Beqir Kalludra, Hashim Collaku dhe Kadrie Goga-Lubishtani.
Avokati Tmava ka thënë se Gogaj duhet të shpallët fajtorë për veprën penale “Vrasje e rëndë”, pasi që sipas tij, deri te ndryshimi i veprës penale kishte ardhur nga ndikimet nga jashtë.
“Që nga momenti kur ka ndodhur vrasja ka pasur shumë ndikime nga persona të ndryshëm që kësaj çështje penale t’i ipet konutacion tjetër dhe vrasja e Agonisit të mos cilësohet ashtu siç e ka përcaktuar aktakuza por të cilësohet si vrasje aksidentale me të vetmen arsye që gjykata të vjen në përfundim që të akuzuarin ta shpall fajtor sipas dëshirës së të akuzuarit dhe personave që i kanë ndihmuar dhe jo sipas provave që gjinden në shkresat e lëndës dhe përfundimi i gjykimit të jetë pikërisht në kundërshtim me gjendjen faktike e që ndërlidhet edhe me vendimin lidhur me sanksionin penal që i njëjti të jetë sa më i butë për të akuzuarin e parë Shaban Gogaj”, thuhet në ankesën e avokatit Tmava.
Tutje, sipas tij, në gjykimin ndaj Gogaj ka pasur ndërhyrje të shumta nga njerëz të pa ndërgjegjshëm.
“Konsiderojmë se ky rast do të kthehet në rigjykim për shkak të shkeljeve të shumta. Ju kisha lut se nëse ky rast kthehet në rigjykim, mos të gjykohet në Gjykatën Themelore në Pejë, sepse e dimë që atje ka pasur ndikim dhe do të ketë ndikim, na lypim vetëm drejtësi për Agonisin dhe asgjë më tepër”, ka thënë ai.
Tutje, Tmava ka shtuar se me aktgjykimin e shkallës së parë familja Tetaj është thyer shpirtërisht dhe janë fyer skajshmërisht, pasi që sipas tij ky aktgjykim ka krijuar pasiguri juridike tek populli i Kosovës në përgjithësi.
Ndërkaq, avokati Berisha ka propozuar që ndaj të mbrojturit të tij të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë, ashtu që të shqiptohet një dënim më i butë.
Sipas Berishes, Gogaj është dënuar maksimalisht dhe atë vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje është dënuar me 3 vite burgim, e që sipas tij, dënimi për këtë vepër nuk mund t’i kaloj 2/3 e dënimit për vrasje nga pakujdesia.
Ai ka shtuar se Isuf Cacaj, i cili kishte pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, armë kjo me të cilën ishte kryer vrasja, ishte dënuar me 2000 euro gjobë, ndërsa i dënuari Gogaj vetëm për përdorim një sekondë të armës është dënuar me 3 vite burgim.
Ndryshe, paraprakisht kryetari i kolegjit Beqir Kalludra ka njoftuar se anëtarja e trupit gjykues, gjykatësja Kadrie Goga-Lubishtani, nuk ka asnjë afërsi apo lidhje familjare me familjen Gogaj.
Po ashtu, gjatë kësaj seanca gjykatësi Kalludra ka larguar nga salla disa nga familjarët e palës së dëmtuar, pasi që sipas tij, të njëjtit kanë penguar procesin gjyqësor.
Procesi gjyqësor në rastin Gogaj u zhbllokua më 6 tetor, pasi është caktuar mbrojtëse sipas detyrës zyrtare, avokatja Sabrije Abazi, e cila u caktua si avokate në gatishmëri, në përputhje me radhën sipas memorandumit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK).
Seanca e caktuar më 27 shtator, kishte dështuar pasi avokati Blerim Ademaj i caktuar si mbrojtës në gatishmëri për të pandehurin Gogaj, mungoi në seancë për shkak se i njëjti pretendon se gjykata nuk ka të drejtë ta angazhojë sipas detyrës zyrtare, por Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK).
Ndryshe, më 8 shtator 2022 avokati Liridon Tafa, i caktuar si avokat sipas detyrës zyrtare për mbrojtjen e të pandehurit Shaban Gogaj, e kishte liruar sallën e gjykimit gjatë shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Pejës, pasi njoftoi trupin gjykues se ishte kanosur nga tani i pandehuri Shaban Gogaj.
Në seancën e mbajtur më 23 gusht 2022 mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare nga gjykata për të akuzuarin Shaban Gogaj, avokati Liridon Tafa, ka pranuar të mbrojë Gogajn, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt. Por, edhe ky mbrojtës u kundërshtua nga i akuzuari.
Seanca e mbajtur më 27 korrik 2022, kishte dështuar pasi avokati Asdren Mekaj ishte tërhequr nga mbrojtja pasi i akuzuari Gogaj tha se nuk dëshiron mbrojtës tjetër përveç Besnik Berishës.
Edhe seanca e 4 korrikut, kishte dështuar pasi mbrojtësi i ri i të pandehurit Shaban Gogaj, avokati Asdren Mekaj ka kërkuar kohë shtesë të përgatisë mbrojtjen dhe të njihet me shkresat e lëndës, pasi është caktuar avokat i Gogajt sipas detyrës zyrtare.
Kurse, seanca e 22 qershorit kishte dështuar të mbahet pasi mbrojtësi i të pandehurit Shaban Gogaj, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Haxhi Çekaj kishte munguar në seancë, pasi sipas parashtresës së dërguar në gjykatë, kishte thënë se i pandehuri nuk ka pranuar ta përfaqësonte atë në gjykatë.
Ndryshe, pas 9 muajsh bllokadë në zhvillimin e seancave gjyqësore ndaj të pandehurit Shaban Gogaj, Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve(OAK), më 22 prill 2022, kishte vendosur që të shfuqizojë vendimin e saj që ndaj Gogajt të mos caktohet ndonjë avokat sipas detyrës zyrtare.
Pasi mbrojtësi i të pandehurit Gogaj, avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga dhënia e mbrojtjes për shkak të prishjes dhe rendit të gjykatës, për shkak të këtij vendimi, shumica e avokatëve të cilët ishin caktuar nga ana e Gjykatës së Pejës për të përfaqësuar Shaban Gogaj, kishin refuzuar të japin mbrojtjen e tyre për shkak të vendimit të OAK që ndalonte avokatët sipas detyrës zyrtare ta përfaqësonin Gogajn në gjykatë.
Në seancën e 25 nëntorit 2021, i akuzuari Gogaj kishte refuzuar të caktojë mbrojtës tjetër përveç avokatit Besnik Berisha.
Gjithashtu, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, në një konferencë për media të mbajtur më 10 dhjetor 2021, lidhur me përjashtimin e avokatit Besnik Berisha në rastin e të akuzuarit Shaban Gogaj, ka thënë se këtij të fundit po i mohohet e drejta për zgjedhjen e avokatit. po ashtu, Ejupi në atë konferencë ka thënë se çdo avokat që nuk respekton vendimet e tyre bën shkelje disiplinore.
Në seancën e 1 prillit të këtij viti, avokati Gani Kelmendi e kishte njoftuar gjykatën se pa vullnetin e tij ishte tërhequr nga dhënia e mbrojtjes për të pandehurin Gogaj, pasi që ishte paralajmëruar për heqjen e licencës së avokatit, nëse ai e përfaqëson këtë çështje penale.
Kurse, në seancën e 16 shkurtit 2022, avokati Gëzim Kollçaku, i cili i ishte caktuar të akuzuarit Gogaj si mbrojtës sipas detyrës zyrtare, ishte dënuar për herë të tretë me 250 euro gjobë, për zvarritje të procedurës penale, i cili nuk ka pranuar të mbrojtë të pandehurin Gogaj.
Në të njëjtën seancë, gjykatësja Husaj-Rugova tha se meqenëse Oda e Avokatëve nuk ka pranuar me caktuar avokat, do t’i thërrasin gjithë avokatët në Kosovë, derisa të plotësohen kushtet ligjore.
Ndërsa, në seancën e mbajtur më 31 janar 2022, mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Gëzim Kollçaku ishte dënuar për herë të tretë me 250 euro gjobë për zvarritje të gjykimit.
Edhe më 30 dhjetor 2021, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova ka shqiptuar 250 euro gjobë ndaj avokatit Kollçaku, i cili kishte munguar në seancën e 29 dhjetorit, duke refuzuar ftesën e gjykatës.
Më 25 dhjetor 2021, Ministria e Drejtësisë (MD) kishte miratuar propozimin për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të OAK-së për moscaktim të avokatit në rastin Gogaj, raporton Betimi për Drejtësi.
Ndryshe, kjo lëndë penale ishte ndërprerë, pasi gjykatësja e rastit Husaj-Rugova i kishte shqiptuar vërejtje, dënim me gjobë prej 500 eurosh dhe më pas e kishte përjashtuar mbrojtësin e të pandehurit Gogaj, avokatin Besnik Berisha, për shkak të prishjes dhe rendit në seancë gjyqësore.
Vendimi i gjykatëses ishte atakuar dy herë në Gjykatën e Apelit, kur kjo e fundit përfundimisht kishte konstatuar se Gjykata e Pejës kishte vendosur drejtë kur kishte dënuar me gjobë avokatin Berisha