Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda do të jetë njëri nga katër kapitenët e klubit italian, Como, i cili ka njoftuar këtë gjatë ditës së sotme.
Klubi italian ka njoftuar zyrtarisht me anë të faqes zyrtare se ka vendosur katër kapitenit e ekipit për edicionin 2025/26.
“Como 1907 është krenar të njoftojë emërimin e mesfushorit të ri Lucas Da Cunha si kapiten i ri i Larianëve”, thuhet në njoftimin e klubit italian.
Pas kësaj ka folur vetë trajneri i ekipit, Cesc Fabregas, i cili ka folur për kapitenin e ri, teksa ka njoftuar edhe për tre kapitenët tjerë, ku njëri nga ta është reprezentuesi i Kosovës, Mërgim Vojvoda.
“Lucas është gati të fillojë sezonin e tij të katërt me klubin dhe ai është lojtari ynë me më shumë paraqitje. Pata privilegjin të ndaja fushën me të në vitin tim të fundit këtu në Como dhe pashë nga afër rritjen e tij brenda dhe jashtë fushës”, ka thënë fillimisht Fabregas.
“Kjo përfaqëson gjithçka që po ndërtojmë në këtë klub: përulësi, etikë pune, përkushtim, cilësi dhe mentalitet fitues. Lidershipi i tij është zhvilluar përmes shembullit të përditshëm: ai nuk humbet kurrë një stërvitje, gjithmonë e vendos ekipin në vend të parë dhe vazhdon të rritet çdo ditë. Në moshën e tij, më e mira ende nuk ka ardhur”.
“Lucas do të mbështetet nga një grup i fortë zëvendëskapitenësh: Sergi Roberto, ish-kapiten i FC Barcelona; Mërgim Vojvoda, zëvendëskapiten i ekipit kombëtar të Kosovës dhe Alvaro Morata, kapiten i ekipit kombëtar spanjoll. Së bashku ata do ta udhëheqin këtë ekip për të vazhduar rritjen”, përfundoi trajneri spanjoll.