Ekspertja e turizmit Helen Rolph ka zbuluar një destinacion të ri për pushime verore, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë turistë britanikë falë çmimeve të përballueshme dhe peizazheve mahnitëse.
Sipas një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”, bëhet fjalë për Shqipërinë, vendin mesdhetar që ofron ujëra kristal të pastër, plazhe me rërë të bardhë dhe një përvojë të ngjashme me Maldivet, dhe vetëm tre orë larg Londrës.
Ky rekomandim vjen në një kohë kur çmimet e fluturimeve ndërkontinentale janë rritur me mbi 30 për qind, duke e bërë udhëtimin drejt destinacioneve ekzotike si Maldivet të papërballueshëm për shumë turistë.
Ndryshe nga udhëtimi 12-orësh drejt Maldivet, fluturimi për në Shqipëri zgjat më pak se tre orë, ndërsa biletat vajtje-ardhje kushtojnë mesatarisht 100 deri në 130 paund – shumë më lirë se 600 deri në 1200 paund që kërkohen për Maldivet.
Riviera Shqiptare, veçanërisht zona e jugut me plazhet e Ksamilit dhe Sarandës, ofron një det të pastër kristal dhe peizazhe të mrekullueshme që e bëjnë atë një alternativë ideale për pushime luksoze pa qenë nevoja të udhëtosh larg.
“Ujërat e kaltër dhe plazhet e Shqipërisë ofrojnë një arratisje relaksuese dhe të paharrueshme, të krahasueshme me Karaibet apo Maldivet, por shumë më pranë dhe më të përballueshme,” shkruan gazeta britanike Express.
Shqipëria nuk ofron vetëm plazhe.
Për adhuruesit e natyrës, Alpet shqiptare dhe shtigjet e njohura si “Peaks of the Balkans” janë një mundësi e jashtëzakonshme për ecje dhe aventura gjatë verës, ndërsa në dimër ofrojnë peizazhe të mbuluara me borë për eksploruesit, -transmeton RTSH.
Ky kombinim i bregdetit mesdhetar me malet e larta e bën vendin unik në rajon.
Ekspertët e turizmit theksojnë se, për shkak të pasigurisë së udhëtimeve ndërkombëtare, destinacionet europiane të afërta si Shqipëria janë një zgjedhje më e sigurt dhe më ekonomike për turistët britanikë.
Përveç plazheve dhe natyrës, vendi ofron kulturë të pasur, histori mijëravjeçare dhe mikpritje tradicionale – elemente që e bëjnë përvojën edhe më të veçantë.
Shqipëria po shndërrohet kështu në një nga destinacionet më tërheqëse të Evropës për pushime verore, duke u cilësuar nga ekspertët si një “sekret i zbuluar” që mund të rivalizojë Maldivet, por me kosto shumë më të ulët dhe me akses më të lehtë për turistët nga Britania e Madhe dhe vende të tjera të kontinentit.









