Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin e dy shtetasve kosovarë në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet gjermane.
Sipas njoftimit zyrtar, më 11 shkurt, një shtetas kosovar u ekstradua nga Gjermania në Kosovë, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.
Pas mbërritjes, ai iu dorëzua njësive përkatëse të policisë për procedura të mëtejshme ligjore.
Ndërkohë, më 12 shkurt, një shtetas tjetër kosovar u ekstradua nga Kosova në Gjermani, ku ishte i kërkuar për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “grabitje”.
Ekstradimet u kryen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare mes Kosovës dhe Gjermanisë.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, theksohet në njoftim./teve1.info/







