Mbi 42 mijë dokumente të ZPS-së, ende nuk kanë rënë në duart e mbrojtësve të katërshes së UÇK-së.
Sipas tyre, kjo tregon se prokuroria nuk e di se çfarë materiale zotëron.
“Nuk ka justifikim. Ndërlikimi i procesit nuk duhet të ndikojnë në zbulimin e materialeve. ZPS-ja nuk përfilli urdhrat e gjykatës. Ju zoti gjykatës duhet të konstatoni shkeljet ligjore”, ka thënë David Young, avokati i Rexhep Selimit.
“Kemi njerëz që po qëndrojnë në paraburgim për 22 muaj, ndërkohë qindra materiale shfajësuese nuk janë zbuluar. Do të analizojmë distancën kohore se kur prokuroria i mori këto materiale dhe kur i zbuloi ato”, tha avokati i Krasniqit, Aidan Elis.
Pretendimin e frikësimit të dëshmitarëve, mbrojtja e Veselit e quajti të pabazuar, derisa përcolli një mesazh nga vet Veseli.
“Zoti Veseli, dëshiron të theksojë se të gjithë duhet të jenë bashkëpunues me Dhomat e Specializuara të Kosovës, e askush të mos mendojë se mosbashkëpunimi i ndihmon të akuzuarit. UÇK ishte një lëvizje e njerëzve, një përpjekje për të mbrojtur popullsinë civile, për të mbrojtur nga aktet çnjerëzore nga forcat serbe”, theksoi Ben Emmerson, avokati i Veselit.
Megjithëse nuk është caktuar koha e fillimit të gjykimit, Prokuroria parasheh 709 orë për marrje në pyetje të dëshmitarëve.
Kjo shqetësoi mbrojtësin e Thaçit, i cili ngriti si çështje edhe mundësinë e vdekjes së dëshmitarëve.
“Deklaratë alarmuese. Po flasim për 709 orë marrje në pyetje. Disa nga dëshmitarët e tyre kanë dëshmuar 7 herë, në organe ndërkombëtare e vendore të drejtësisë. E këta ende nuk e dinë as radhën e tyre në gjykim. Ndërkohë, ne planifikonim si dëshmitarë ish sekretaren e shtetit, Madeline Albright, ish ambasadori, Richard Holbrooke. Por e dimë se këta persona nuk jetojnë më. Me këtë avaz të prokurorisë, edhe dëshmitarë tjerë mund të vdesin”, tha Gregory Kehoe, avokati i Thaçit.
Sa i përket hetimeve të mbrojtjes, u theksua se në to vonesa po shkaktojnë faktorë që janë jashtë kontrollit të mbrojtjes.
Ndërkaq, nuk e mohuan mundësinë e njoftimit të alibisë të të akuzuarve.
Kronikë e realizuar nga gazetarja, Florijeta Dernjani