Është dhurata më e çmueshme që e ka.
Andaj thotë se edhe e ruan me plot pasion.
Me këtë veturë për plot 7 vjet, Esat Geci e shoqëroi presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën.
E pavarësisht kohës që ka kaluar, gjendja e saj është njëjtë sikurse para 20 vitesh.
Por, si i mbeti në pronësi kjo veturë Esat Gecit nga Llausha e Skenderajt?
“Kanë dashtë me hekë edhe familja Rugova dhe kryesia e LDK-së kanë vendosë si dhuratë që të ma dhanë mu, pikërisht familja Rugova dhe sot e kam unë dhe e mbajë në shtëpinë time, po normal përkujdesem sepse është një shenjë e presidentit Rugova dhe këtë veturë e ruajë me pasion të madh dhe e mbajë në garazh dhe gjithçka është e mbulime nuk dal rrugës me të e mbajë vetëm si kujtim nga presidenti Rugova”, ka thënë Geci.
Ish-pjesëtari i mbrojtjes së afërt të presidentit Ibrahim Rugova, thotë se është nder i veçantë ta ketë ende Ford Explorer-in e vitit 1999-të.
“Për mua personalisht ka rëndësi të madhe, arsyeja pse sepse unë me këtë veturë e kemi bartë presidentin Rugova edhe gjatë fushatës edhe pas fushatës ne kemi pas raporte jashtëzakonisht të mira edhe me presidentin Rugova dhe familjen e presidentit Rugova kështu që u jam mirënjohës atyre dhe do ta ruajë sa unë do të jem dhe familja ime si kujtim nga familja dhe presidenti Rugova”, u shpreh tutje Geci.
Të mërkurën janë bërë 20 vjet nga dita kur ish-presidenti Ibrahim Rugova, u nda nga jeta.
Por, kujtimet nga ditët kur më këtë veturë i ndanin rrugët bashkë me Rugovën, kanë mbetur të freskëta në memorien e Esat Gecit.
“Unë kam pas nderin dhe privilegjin të jem afër presidentit Rugova, prej vitit 99 deri në vdekjen e tij. Kurse pas vdekjes së tij, vetura ka qenë pronë e LDK-së me këtë veturë e kemi përcjellë presidentin Rugova në fushatat e para”, ka përfunduar Geci
Për Tëvë1, Geci zbulon se ka pasur oferta të shumta ta shesë këtë veturë, por shton se këtë opsion nuk e mendoi asnjëherë.
E pavarësisht kësaj, thotë se numri i qytetarëve që vijnë nga i gjithë vendi për ta parë nga afër, është i madh.






