Shkruan:Azem Vllasi
Në historinë tonë nuk ka shumë data dhe ngjarje me peshë historike që kanë shënuar kthesa apo fillim të kthesave të mëdha. Por ato që janë duhet t’i kujtojmë, t’i ruajmë nga harresa. Ato na frymëzojnë dhe na shtojnë krenarinë.
Ngjarjet në Kosovë që filluan me 17 nëntor 1988 dhe vazhduan deri në mars të vitit 1989 kanë peshë historike dhe shënojnë faqe të ndritshme dhe kthesë të madhe në historinë tonë. Në vazhdim nuk ishte asgjë si deri aty. Ndodhi një fenomen deri atëherë i panjohur.
Ndodhi që populli, kur mbeti pa udhëheqësi politike, të cilës i besonte dhe e cila i mbronte interesat e tij, vet masivisht filloi rezistencën kundër synimeve të Serbisë që Kosovën dhe shqiptarët t’i kthej nën pushtetin e vet, në fakt nën okupacion. Vet populli doli në mbrojtje të interesave të veta, vet pa udhëheqësi, dhe në vazhdim asgjë nuk mbeti sikur ishte.
Në shtator të vitit 1986 Kryesia e Jugosllavisë kishte filluar do ndryshime kushtetuese për reforma ekonomike. Por, kreu politik i Serbisë deshi që këtë rast ta shfrytëzoi për ndryshime me qëllim që dy krahinat, Kosovën dhe Vojvodinën t’i kthej nën sundimin e vet, në pozitë ku ishin para pushtetit të UDB-së dhe Aleksandar Rankoviqit mbi Kosovën dhe shqiptarët para vitit 1966.
Sipas kushtetutave në fuqi, asaj Federale, Republikane të Serbisë dhe kushtetutave të dy krahinave të vitit 1974,Serbia nuk kishte pushtet funksional mbi Kosovën dhe Vojvodinën.
Për disa çështje të përbashkëta vendosej vetëm me marrëveshje. Në një rast të përshtatshëm më vonë Kosova mund të kërkonte edhe formalisht status republike, ngase kështu ishte disponimi i përgjithshëm në Kosovë, përveç i atyre 13% të Serbëve. Dhe kjo vetëm sa do t’i stabilizonte raportet me Serbinë.
Autonomia e Vojvodinës u shkel me një miting në Novi Sad në tetor 1988, ngase atje 70% të popullatës ishin serbë.
Ne në udhëheqësin e Kosovës kategorikisht kundërshtonim synime të tilla nga Serbia.
Por, regjimi i Millosheviqit përfitoi përkrahjen e kreut federal partiak (të LKJ)., ngase askush nuk donte t’i prishte punët me Serbinë, shkaku i Kosovës. Me presione e vendime të Kryesisë të Komitetit Qendror të LKJ dhe me përkrahjen e disa Serbëve që kishim në mesin tonë, u shpërbë bërthama e rezistencës në Kryesinë e Komitetit Krahinor.
Aty ishte Kaqusha Jashari që posa e kishim zgjedh me mandat njëvjeçar pasi mua më skadoi mandati në atë post. Aty isha unë, ishte Ekrem Arifi dhe Rahman Dedaj. Kaqusha u lodh dhe dha dorëheqje. Kryesia mbeti e dezorientuar.
Target i sulmeve nga Beogradi isha unë. Nëpër mitingje në Serbi që i organizonte Millosheviqi kërkohej koka ime ose burgosja, ngase rezistenca jonë kishte filluar kur unë isha kryetar për dy vite. Shqiptarët tjerë në Kryesinë e Komitetit Krahinor dhe në krejt LK ishin me neve. Gorani Xhymret Selmani poashtu. Katër anëtarë të kryesisë serbë tashmë ishin rreshtuar me Beogradin.
I bëmë do lëvizje e manovrime në Kryesi me shpresë se do të ndalen presionet nga Beogradi. Unë isha edhe anëtar i Komitetit Qendror të LKJ, Ekremi dhe Dedaj mbeteshin anëtar të Komitetit Krahinor. Por doli punë e kotë. Presionet vazhduan, synimet e Serbisë për ta arritur qëllimin nuk u ndalen.
Opinioni dinte se po përgatiten ndryshime të tilla me presion nga Beogradi dhe te populli vlonte pakënaqësia.
Me 17 nëntor, në ditën kur mbahej mbledhja e Komitetit Krahinor dhe priteshin këto ndryshime, filloi lëvizja e popullit të pakënaqur. Gjatë asaj dite të parët, në këmbë erdhe në Prishtinë minatorët e Trepçës për të protestuar. Dy kërkesa dominonin: Nuk ka ndryshime në udhëheqësin e Kosovës dhe nuk ka ndryshime të pozitës kushtetuese të Kosovës me presione nga Beogradi. Për këto vendosin vetëm qytetarët e Kosovës. Kështu u hap faqe e re, kur populli bënte histori.
Në ditët në vazhdim, nëpër rrugët dhe qytetet e Kosovës u ngritën në këmbë i madh e i vogël, i ri e i moshuar. Gjatë pesë ditëve ishin në lëvizje afro 400.000 njerëz. Shumë prej tyre vinin këmbë në Prishtinë. Por Serbia vazhdoi me synimet e veta ama vazhduan edhe Shqiptarët me rezistencë. Serbisë i duheshin do argatë në Prishtinë për t’i aprovuar formalisht kërkesat e saj. E gjeten njëfarë Rrah-man Morinën me dy,tre të ngjashëm.
Ndodh kjo në historinë e popujve.
Shqiptarët e braktisen Lidhjen e Komunistëve. Pas kësaj i braktisen edhe institucionet tjera, të cilat u shndërruan në instrument të okupatorit. Ose u përjashtuan. Por shqiptarët nuk u dorëzuan dhe të gjithë u bënë barrikadë e rezistencës kundër synimeve të Serbisë. Presionet nga Beogradi vazhduan. Por rezistenca gjithëpopullore e Shqiptarëve nuk u ndal. Megjithatë, dhuna për momentin e bëri të veten dhe në mars të vitit 1989 Kosova u okupua me forcë nga Serbia e ndihmuar edhe nga Federata.
Për ta shkel rezistencën e popullit, Kryesia e Jugosllavisë, me kërkesën e Serbisë vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Gjuetia e madhe filloi por shqiptarët nuk u ndalen, nuk u dorëzuan.
Mua dhe Ekrem Arifin nga bërthama politike e rezistencës na burgosen. Edhe disa qindra shqiptarë tjerë po ashtu. Policia e dërguar nga Beogradi vrau 25 protestues që nuk e ndalnin rezistencën. Shqiptarët definitivisht i thanë ejvallah Serbisë dhe Jugosllavisë. E nisën rrugën e vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë. Pasi që i braktisen të gjitha institucionet e sistemit okupues, shqiptarët u rreshtuan në forma të vetorganizimit. U gjetëm në dy blloqe të kundërshtuara: regjimi okupues serb me një anë dhe shqiptarët e panënshtruar, të rreshtuar në rezistencë, pak më vonë edhe në rezistencë të armatosur. Çlirimi definitivisht erdhi në qershor të vitit 1999.
Shqiptarët nuk iu nënshtruan regjimit okupues të Beogradit. Ia kthyen shpinën jo vetëm Serbisë por edhe Federatës, ngase ajo u rreshtua krah Serbisë kundër nesh. Përgjithmonë. Prandaj, rezistenca gjithëpopullore e filluar në nëntor 1988 vlen të përkujtohet si kthesë e madhe historike.
Është primitive dhe e pakuptimtë praktika sipas së cilës ata që ngrihen në pushtet, mendojnë se historia fillon prej tyre. Kinse, para tyre nuk kishte asgjë apo çdo gjë ishte keq.
Opinioni përmban pikëpamjet e autorit dhe nuk prezanton qëndrimet editoriale të teve1.info




