Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: L.P., B.G., B.B., B.K., dhe R.R., me dyshimin se kanë kryer veprat penale: “Fajdeja”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe veprën penale “Detyrimi”, raporton teve1.info
Sipas aktakuzës, të dyshuarit, me qëllim të përfitimit të paligjshëm e kanë detyruar të dëmtuarin E.A. të paguaj 20 mijë Euro në emër të kamatës si dhe për pagesën e kësaj shume e kanë kërcënuar.
“Sipas aktakuzës, të lartpërmendurit me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete apo persona tjerë, kontraktojnë shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare – personale të të dëmtuarit, E.A, ku njëri nga të pandehurit përdor edhe kanosjen serioze në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarit, për ta detyruar këtë të fundit të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij. I dëmtuari E.A., detyrohet nga të pandehurit e lartcekur të paguaj borxh në emër të kamatës shumën rreth 20.000 Euro”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Prizrenit, të akuzuarit me datë 22 dhjetor 2021, janë arrestuar në flagrancë gjatë marrjes së kamatave nga i dëmtuari.
“Konform dispozitave ligjore në fuqi Prokurori i Shtetit ka propozuar edhe konfiskimin e sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës dhe janë dobi pasurore nga veprat penale, si: vetura, para të gatshme, kartela të bankës, telefona, USB, kompjuterë, llap-top, akte noteriale, kontrata, CD, DVD, thika, boks të metalit etj.
Prokurori i Shtetit duke u mbështetur edhe në Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë nr. 06/L-087, ka propozuar sekuestrimin e banesave dhe veturave të të akuzuarve, ku ka siguruar edhe urdhrin kufizues përfundimtar nga ana e Gjykatës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas komunikatës, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.