Dy persona janë arrestuar sot në Ferizaj, pasi dyshohet se janë përfshirë në fajde.
Siç bën të ditur Policia, një 54-vjeçar i kishte lajmëruar në stacion policor të dyshuarit A.G., 50 vjeç dhe F.G., 49 vjeç, më datë 24 janar.
Nga hetimet e para, është mësuar se dy të dyshuarit i kishin dhënë fajde një shumë prej njëzet mijë euro, për ta detyruar atë t’i kthejë shumën prej shtatëdhjetë e tre mijë euro, edhe pse deri më tani shumën prej gjashtëdhjetë mijë euro, viktima u kishte paguar të dyshuarve.
Pas arrestimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Pas një pune intenzive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, pas zbatimit të masave të fsheta të vëshgimit dhe mbledhjes së provave të nevojshme, hetuesit rajonal i kanë identifikuar e më pas sot, datë 10.02.2023 i kanë arrestuar dy të dyshuarit: A.G (M/K) i moshës 50 vjeçar dhe F.G (M/K) i moshës 49 vjeçar, të cilët i kanë shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt, përkatësisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit dërgohen në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore me dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘Fajdeja’”, bëhet e ditur në njoftimin e PK-së. /Teve1.info/