Brenda një dite në një nga shkollat e Fushë Kosovës u lajmëruan dy raste të dhunimit seksual.
Në njërin rast, bëhet fjalë për një 11 vjeçare e cila dyshohet të jetë dhunuar nga një burrë.
Por jo vetëm kjo, në Policinë e Kosovës rast për dhunim është hapur edhe për një 13 vjeçar i cili dyshohet se pati marrëdhënie seksual me një 17 vjeçar.
Nxënësi i Fushë Kosovës dyshohet se u njoftua me të dyshuarin në TikTok dhe pas një bisede me të kishte shkuar në Ferizaj.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës .
“Specialist të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, e mitura e cila është në klasën e katërt, dyshohet të jetë dhunuar jashtë hapësirave të shkollës javë më parë.
I dyshuari tashmë është arrestuar, dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës në një përgjigje për Tëvë1, kanë konfirmuar për të pandehurin është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një person madhor, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Dhunimi’, sipas nenit 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit pranë gjykatës kompetente, kërkesë e cila është aprovuar nga gjykata”, ka reguar Prokuroria Themelore në Prishtinë
E sipas Qendrës për Punë Sociale në Fushë Kosovë, personi i dyshuar ishte i njohur për organet e rendit.
“Bëhet fjalë për një dhunim te një vajze të moshës 11 vjecare e cila ka ndodhur në komunën tonë, është kryer nga një personi i cili ka qenë i njohur për organet e rendit, fëmiju ndodhet pranë familjes së saj, dhe u kemi kërkuar që nëse ka nevojë për ndonjë shërbim ne do të jemi në dispozicion”Xhikolli.
11 vjeçares i është bërë edhe një ekzaminim, ku sipas Qendrës për Punë Sociale është konstatuar dhunimi seksual.
Nga kjo Qendër janë marrë edhe me rastin e djalit 13 vjeçar, të cilit sipas drejtorit Xhikolli akoma nuk i është bërë ekzaminimi.
Këto dy raste, i ka parë me shqetësim edhe drejtori i arsimit në Fushë Kosovë, Adriatik Zeqiri.
“Rreth rasteve janë duke u marrë të gjitha instancat duke filluar nga Qendra për Punë Sociale, hetuesisë, Prokurorisë, dhe të gjitha instancave që duhet të merren me keto raste, janë raste të ndjeshme në të cilat duhet te kemi shumë kujdesë gjatë trajtimit, aq sa mora informacion, të gjitha këto institucione janë duke trajtuar rastin me seriozitetin maksimal, të duhur për këto raste”, ka thënë Zeqiri.
Në lidhje me këtë rast është informuar edhe shkolla në të cilën dy nxënësit vijojnë mësimet, mirëpo për shkak të ndjeshmërisë së rastit ata nuk kanë pranuar të flasin për televizionin.



