Flakët nisën këtu mesditën e së shtunës.
E shumë shpejt, zjarri përfshiu plot 30 hektarë tokë në Lagjen e Pajtimit në Shtime.
Kjo bëri që të shtunën banorët e kësaj lagje, ta kalojnë në luftë me zjarrin.
Madje, 10 prej tyre patën nevojë për ndihmë mjekësorë, meqë u asfiksuan nga tymi.
Në mesin e atyre, që patën probleme me frymëmarrje, ishin edhe dy gra shtatzëna.
“Hala kemi qenë duke luftuar me zjarrin, kur dëgjuam që dy gra shtatzënë janë asfiksuar dhe ndihma e shpejtë i ka dërguar në Ferizaj. Kur kam shkuar të shtëpia, edhe mua me ka rrokë tymi, pasi që e pina pak ujë”, ka thënë Liman Muhedini, banor i lagjes.
Era të shtunën bëri që zjarri të shkonte fare pranë shtëpive.
Për t’i shpëtuar më të keqes, bashkë me zjarrfikësit u mobilizua e tërë lagjja.
“Jam kanë në korridor tu nejt, e kam hetuar tymin, kur dola e pash që flakët kishin mbërri deri afër. Derisa mbërrita tek shtëpitë këtu, flakët veç arritën. Me familje e me krejt jemi ballafaquar me flakën. Kanë dalë krejt kushërinjtë, që mos me lënë zjarrin me kalu andej kah shtëpitë, tregon Muhedini.
Të lënduarit, u transportuan me urgjencë në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
“ Dhjetë persona kanë pasur vështirësi në frymëmarrje për shkak të qëndrimit në tymin për shkak të objektit që është djegur, mirëpo këtu ndihmë kanë marrë vetëm katër persona, ku njëra ka qenë një grua shtatzënë, e cila pasi ka marrë trajtimin këtu, është konsultuar edhe gjinekologu”, bëri të ditur Sefedin Fazliu shef i Emergjencës në Ferizaj.
Gruaja shtatzënë më pas, u transportua në Qendrën Klinike Spitalore në Prishtinë, ku po e vazhdon trajtimin.
E dëme të konsiderueshme materiale, zjarrit i shkaktoi edhe Islam Bajramit.
“Kjo është një veturë Mercedes, e vitit 1977-78, i kemi mbajtur si koleksion dhe një Chevorlete edhe ky për koleksion. Këtu i kam pasur disa mjete të bujqësisë, pastaj material ndërtimor..familjarët janë mirë të gjithë, faleminderit prej Zotit”, shprehet ai.
E rastin e kanë konfirmuar edhe në Policinë e Kosovës, të cilët rastin e cilësuan si zjarrëvenie.
“Si pasojë e zjarrit i cili ka shpërthyer në rrethana të panjohura janë asfiksuar 10 perona të cilëve u është ofruar tretman mjekësor, tre prej të cilëve kanë vazhduar tretmanin në QE-Ferizaj, po ashtu janë djegur edhe dy vetura dhe disa mjete pune-pronë e dy ankuesve kosovarë. Dëmet janë të konsiderueshme ndërsa lidhur me rastin është informuar edhe prokurori”, thuhet nga Policia.
Të shtunën nga zjarri, u dëmtuan edhe varrezat e lagjes së Pajtimit në Shtime.
Ndërsa sipas policisë, rasti është duke u hetuar.