Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka folur për procesin e formimit të Qeverisë në emisionin “Këndi i Debatit” në TëVë1.
Dugolli ka thënë se viti i kaluar nuk ishte i lehtë dhe se, pavarësisht rezultatit zgjedhor prej 42 për qind, mungesa e bashkëpunimit politik ka çuar në bllokadë institucionale dhe në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Viti i kaluar nuk ishte një vit i lehtë. Edhe pse fituam 42 për qind dhe kishim më shumë vota se dy partitë kryesore opozitare, kjo nuk mjaftoi. Kishte pengesa fillimisht në konstituimin e Kuvendit dhe më pas në formimin e Qeverisë, për shkak të mungesës së vullnetit për bashkëpunim”, ka deklaruar Dugolli.
Ai ka shtuar se qytetarët e kanë kuptuar më së miri këtë situatë dhe, sipas tij, kanë ndëshkuar bllokadën politike.
“Qytetarët e kanë kuptuar shumë mirë se kush e mbajti bllokadën për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë dhe e kanë larguar këtë bllokadë nga rendi i ditës përmes votës”, ka thënë ai.
Dugolli ka theksuar se aktualisht në rend dite është konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, proces që, sipas tij, do të zhvillohet shpejt pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.
“Në këtë fazë, në rend të ditës është konstituimi i Kuvendit dhe më pas formimi i Qeverisë. Besoj se shumë shpejt, madje që në seancën e parë, do të kryhen të gjitha këto procedura”, ka shtuar Dugolli.
Sa i përket mundësisë së koalicioneve qeverisëse, ai ka qenë i prerë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
“Koalicion për Qeverinë nuk do të ketë. Ne kemi kërkuar oferta konkrete më herët dhe ato nuk kanë ardhur. Tash duhet të respektohet vullneti i qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Ndërsa për çështjen e zgjedhjes së Presidentes, Dugolli ka thënë se bashkëpunimi politik do të kërkohet nga partitë e tjera.
“Bashkëpunimi për zgjedhjen e Presidentes do të kërkohet nga partitë e tjera politike, në mënyrë që të tejkalohet ky proces”, ka përfunduar Dugolli.




