Leonardi, vëllai i Liridona Ademajt që dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, është deklaruar para mediave pas ngritjes së aktakuzës ndaj tre të dyshuarve.
Ai tha se familja e ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës, por duan dënim kapital ndaj të dyshuarve.
“Duam që Gjykata sa më shpejtë të vendos, një dënim kapital, që t’i lehtësojë zemrat tona sado pak dhe të fëmijëve të saj. Jo, akoma nuk e kemi marrë aktakuzën, kur ta marrim pastaj do ta shikojmë edhe njëherë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Leonardi tregoi se gjendja e fëmijëve të Liridonës nuk është edhe aq e mirë, derisa deklaroi se tashmë janë të vetëdijshëm për atë se çfarë i ka ndodhur nënës së tyre.
“Takohemi me fëmijët, ata kanë kuptuar gjithçka. Gjendja e tyre nuk është edhe aq e mirë. Për këtë çështje kujdeset shteti social, ata e dinë më mirë, sepse kanë psikolog, kanë njerëzit adekuat që merren me këtë punë. Por, çfarë shohim ne është se janë shumë të mërzitur”, tha ai.
Leonardi shpreson që për vrasjen e motrës së tij, drejtësia do të triumfojë.
“Akoma s’e kemi lexuar aktakuzën, kur ta lexojmë e shohim edhe njëherë. Është një ditë e rëndë për ne. Po shpresojmë që drejtësia të vjen sa më shpejt në vendin e vetë”, tha ai.
Ndërkohë, sot Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023, pas përfundimit të hetimeve.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, tha se ky rast ka qenë i ndjeshëm dhe për atë ka qenë një kufizim për dhënie të informacioneve.
“Kemi siguruar ekspertiza edhe nga jashtë edhe brenda vendit tonë. Ky rast ka qenë shumë i ndejshëm për ata edhe ka qenë i kufizuar”, deklaroi Gashi.
Ndërkaq, prokurorja e rastit, Javorka Prelinqeviq, tha se e kanë kuptuar se pse ka ndodhur motivi i vrasjes në momentin kur kanë bashkëpunuar me shtetit suedez.
“Prova materiale në këtë lëndë janë grumbulluar shumë shpejt, megjithatë se çfarë ka munguar, ka munguar motivi i cili i ka shtyrë kryerësit e veprës penale për të kryer këtë vepër. Andaj iu kemi drejtuar edhe Mbretërisë së Suedisë për raportet e tyre duke e marre parasysh se ata kane qenë edhe shtetas të Suedisë. Kemi ardhur deri te motivi, e kemi shpjeguar dhe pastaj e kemi kuptuar pse ka ndodhur vrasja e saj”, tha prokurorja e rastit, Javorka Prelinqeviq.
“Gjatë ngritjes së aktakuzës nuk kemi një provë ose një tjetër provë kryesore, por kemi shumë prova ma materiale. Marrëveshje në këtë lëndë për pranim të fajësisë nuk ka pasur, edhe pse ka pasur kërkesë. Në këtë rast nuk do të ketë marrëveshje për pranim të fajësisë”, tha ajo.
Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët.
Rasti fillimisht ishte cilësuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.
Më pas ditën kur u varros Liridona, Policia arrestoi Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, si të dyshuar për involvim në këtë rast.
Dyshimet janë se vrasjen e kishte kryer Granit Plava, pasi Murseli ia kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së. Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur dorasin Murselit.
Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë”.