Duke shënuar një moment historik në partneritetin mes Gardës Kombëtare të Ajovas (Iowa National Guard) dhe Kosovës, aviatori Drini Gashi, shtetas i Kosovës, është betuar më 20 nëntor në bazën 132d Air Wing, duke u bërë kosovari i parë që i bashkohet kësaj force amerikane.
Drini është anëtari i parë nga Kosova – partner shtetëror i Ajovas në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror (SPP) – që i bashkohet Gardës Kombëtare të Ajovas. Ceremonia e betimit u udhëheq nga gjeneralmajori në pension, Timothy Orr, ish-Adjutant i Përgjithshëm i Gardës, i cili ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të përfshirjes së Ajovas në këtë program.
“Angazhimi i Drinit shënon edhe një tjetër pikë kthese në marrëdhënien që forcon lidhjen mes Ajovas dhe Kosovës,” tha Orr. “Ne shërbejmë së bashku, punojmë së bashku dhe luftojmë së bashku.”, raporton “dvidshub”.
Rruga e Drinit drejt shërbimit në GKA lidhet ngushtë me vitin 2012, kur familja e tij u shpërngul nga Kosova në Washington, D.C. Babai i tij, gjeneral brigade në pension, Xhavit Gashi, shërbente si atashe i FSK-së në Ambasadën e Kosovës në Ajova. Gjatë kësaj periudhe, ai ndërtoi një miqësi të fortë me gjeneralmajorin Orr, duke ushqyer më tej partneritetin mes dy vendeve.
Familja Gashi më pas u zhvendos në Ajova në vitin 2016, ku jetuan në Camp Dodge — vendi ku Drini pati ndërveprimet e para me pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovas. “Më pëlqeu shumë jetesa atje,” tha Drini. “Më pëlqente t’i shihja nga afër pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovas.”
Pas kthimit të familjes në Kosovë, Drini vazhdoi të ndjente një lidhje të veçantë me Ajovën, gjë që e shtyu të kthehej për të ndjekur studimet dhe më pas të niste procesin drejt shtetësisë amerikane përmes Programit të Sponsorizimit dhe Shtetësisë së Përshpejtuar.
“E dua këtë vend dhe e dua atë që ky vend përfaqëson,” tha ai. “Ajo që është ky vend, është më e madhja në botë.”
Drejtorë aktualë dhe të mëparshëm të Programit të Partneritetit Shtetëror morën pjesë në ceremoninë e betimit, duke e cilësuar këtë moment si një hap të madh për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Ajovas.
“Ajova ka ndërtuar qindra shkëmbime ushtarake me Kosovën, por tani Ajova ka një kosovar të regjistruar në radhët e saj,” tha nënkoloneli Joel Jacobson. “Kjo është një arritje e madhe dhe i shton talent Gardës Kombëtare të Ajovas.”
Nënkolonelja në pension Kerri Lewers shtoi se: “Shpresojmë që ky moment monumental të krijojë një precedent që kosovarët t’i bashkohen Gardës Kombëtare të Ajovas dhe të bëhen qytetarë të SHBA-së. Miqësitë dhe marrëdhëniet e krijuara mes Gardës së Ajovas dhe FSK-së janë ndërtuar mbi besim dhe janë si familje.”
Prindërit e Drinit, Xhavit dhe Valentina Gashi, janë shprehur thellësisht mirënjohës dhe krenarë për këtë arritje:
“Kjo është një nga ato momente që na mbushin zemrat me krenari, gëzim dhe përulësi të jashtëzakonshme. Si prindër, nuk mund të ndiheshim më të nderuar sesa të shohim djalin tonë, Drinin, duke u bërë i pari kosovar që regjistrohet si Ajman në Iowa National Guard 132d Wing.”
“Lidhja jonë me Iowa National Guard është familjare dhe e thellë. Për pothuajse 15 vjet kemi jetuar këtë partneritet përmes sfidave, vlerave dhe angazhimeve të përbashkëta. Për ne, Ajova është një shtëpi e dytë dhe arritja e Drinit ndjehet si vazhdimësi e një historie të shkruar me besim, miqësi dhe sakrificë.”
“Jemi mirënjohës ndaj të gjithë atyre që e kanë mbështetur dhe mirëpritur Drinin. Arritja e tij është një premtim për të ardhmen.”







