Sipas aktakuzës së prokurorisë, ish-drejtuesit e KPM-së, Luan Latifi dhe Arben Bilalli, kërkuan dhe morën ryshfet nga kompania “Telkos”
Seanca filloi me vazhdimin e dëgjimit të dëshmitarit, Elhami Haziri, që është edhe njeri nga pronarët e kompanisë “Telkos”,
Ky i fundit, fillimisht iu përgjigj pyetjeve të avokatit të palës së akuzuar, i cili dëshmitarin e pyeti se kur ka filluar të merret me biznesin e shtrirjes së rrjetit kabllor dhe internetit.
Në lidhje me këto pyetje, avokati Driton Musliu, mori disa herë vërejtje nga gjyqtari, Alban Ajvazi, pasi sipas tij, pyetjet nuk kishin të bënin me objektin e akuzës.
Tutje, avokati i Luan Latifit, e pyeti Hazirin nëse ish-kryeshefi në KPM, Luan Latifi, ka kërkuar direkt para nga ta. Ndërsa dëshmitari Haziri u përgjigj se jo, por theksoi se në seancat e kaluara kishte deklaruar se këtë punë e kanë kryer bashkë, Luani dhe Arbeni.
“Nuk kam thënë saktë qysh keni thënë ju. Unë kam thënë që këtë punë e kanë kryer bashkë, Luani dhe Arbeni” – deklaroi Haziri para trupit gjykues.
Më pas, trupi gjykues pyeti Hazirin se se çka kishte nënkuptuar ish-kryeshefi i KPM-së, Luan Latifi, kur i kishte propozuar ta ndërronte partnerin dhe a i kishte propozuar ndonjë emër.
“Në takimin e parë, në përfundim të bisedës, me ka thënë ndërroje partnerin. Unë i kam thënë se nuk me duhet partneri. Ndërsa në takimin e dytë e kam pyet për kënd e ke fjalën, ndërsa ma ktheu se mos ma keqpërdor fjalën…”
Ndërsa në pyetjen tjetër të trupit gjykues se a e kishte informuar Elhami Haziri, Luan Latifin, se Arben Bilalli po kërkonte para në emrin e tij, Haziri u përgjigj në këtë mënyrë.
“Në takimin e dytë, Luanin e kam njoftuar që Arbeni po kërkon para e ky ma ktheu- mos i jep para. Por tutje gjatë bisedës, me ka thënë që këtë punë e ka Bena (Arbeni) në dorë.”
Pas kësaj, në sallë hyri dëshmitari i dytë, Enver Berisha, që është edhe drejtor në kompaninë “Telkos”
Në dëshminë e tij, Berisha ka treguar për takimet që i zhvilluan me Arben Bilallin, e ku sipas tij, Luan Latifi përmes Arben Bilallit, po e shtonte presionin ndaj tyre.
Në vijmë mund ta lexoni deklaratën e plotë të Enver Berishës
“Me datë 30.05 kemi pranuar email nga Nuredin Islami, ku kërkohet ta deklarojmë shtrirjen e rrjetit të “Telkos”, ku edhe i jam përgjigj në afatin e kërkuar. Pas kthimit te emailit në KPM, e pranoj një telefonatë nga Arben Bilalli, ku prezantohet si drejtor dhe thotë që emailin që e keni dërguar nuk përputhet, pra deklarimi me Prizrenin. Pastaj më thotë se është mirë që në takim me qenë edhe dikush nga pronarët, më tha që të nesërmen me shku në KPM. Pas kësaj telefonate unë i informoj pronarët për të dhe takimin në KPM. Të nesërmen kemi shkuar në takim unë, Elhamiu dhe Ymeri (pronarët). Fillimisht Arbeni na ka prit në takim me Nuredinin (Islami), e pas pak u ardh Arbeni dhe na është drejtuar që deklarimet nuk përputhen me Prizrenin.
Elhamiu i tha që ne e kemi deklaruar Prizrenin (për shtrirjen e rrjetit). Atëherë Arbeni i thotë Nuredinit e keni pranu emaili? Nuredini i tha se nuk i kujtohet. Arbeni i kërkon që me shku me verifiku a e ka pranu emailin. Pastaj Nura (Nuredini) del prej zyrës dhe Arbeni na drejtohet dhe thotë se nuk e pata për verifikim, por këtë punë duhet me kry brenda 4 mureve. (Atëherë) Elhamiu i thotë qysh se qysh po mendon brenda katër mureve? (Arbeni) i tha se ti je biznesmen, dhe se këto punë duhesh m’i ditë se qysh kryhen. E prezanton një dokument Arbeni, ku thotë që këto janë nenet dhe ligjet që i përcaktojnë dënimet e mosdeklarimit. Ymeri e fotografon dokumentin, ku shihet edhe gishtin i Arbenit (si provë) dhe pastaj Arbeni i drejtohet Elhamiut se ti je gilangji, e edhe Luan (Latifi) është i Gjilanit, prandaj shko takohu me të dhe mshelne këtë punë. Elhamiu i pyet se pse me u taku në Gjilan, mund të takohemi këtu dhe i sqarojmë gjërat.
Arbeni i thotë se Luani është duke e rinovuar shtëpinë, nuk është në punë, shko në Gjilan e takohu më të. Elhamiu më ka tregu që është takuar me Luanin dhe të nësermen me ka telefonuar prapë Arbeni, dhe më thotë se Elhamiu është taku me Luanin, po nuk është dashtë më i thanë që e kom dërgu unë (Arbeni). Pastaj më tha hajdi prapë në takim. Të nesërmen kemi shku në KPM prapë me Elhamiun. Arbeni na ka prit në zyrën e tij dhe i drejtohet Elhamiut se këtu punë kryhen ndryshe. Elhamiu i tha qysh po mendon ndryshe? Tha duhet me dal në temë dhe me i ofru para Luanit. Sipas Arbenit këto mjete i kërkonte Luani.
Gjatë takimit e prezantoi një fature, ku tha se kjo shumë prej 15 mije euro u dashtë me pagua ju vitin e kaluar dhe gjysmën e kësaj shume e ka kërkuar Luani, sipas Arbenit. Pastaj Arbeni thotë se po shkoj po bisedoj me Luanin dhe tha a ma jepni ju izën. Elhamiu i drejtohet që nëse duhet me pagu ndonjë taksë, na i jepni faturën, se për gabimin apo lëshimin nga KPM nuk duhet të pësojmë ne, pra Telkosi.
Arbeni tha se po shkoj në Gjilan, e po takohemi me Luanin, se kam me shku në pushim dhe kjo pune duhet me u kry para të premtes, ka qenë dita e mërkurë. Arbeni na thirrë në telefon, tha se nëse nuk i sillni mjetet atëherë ne kemi me i dorëzu raportet dhe na ka thënë që sa para t’i keni i sjellni, që ta rehatoj Luanin. Pastaj, si rrjedhojë e krejtë kësaj shihet qe nuk kemi zgjidhje tjetër. Elhamiu i ka bërë audio-incizimet duke thënë e kjo është e vetmja mënyrë që të kemi dëshmi. Arbeni na tha se paramendoni si do ta përballoni para mediave, qe nuk e keni deklaru Prizrenin. (edhe pse ne e kishim të deklaruar) Kështu presioni u rritke nga Arbeni.
Takimin e kam pas vetëm me Arbenin, asnjëherë me Luanin. Unë i thashë se për vikend shkoj në Shqipëri në pushime. Të dielën në mbrëmje me thirrë Arbeni prapë, dhe tha se unë të premten s’kam shku në pushime, e kam shty për të martën, a p’e mbyllim këtë çështje apo i publikojmë qysh të kam informu. Pas kësaj unë e thiri Elhamiun dhe e njoftoj se çka me tha Arbeni. Elhamiu ma kërkoi numrin e Arbenit dhe thotë që unë do të komunikoj me të. Të hënën pasdite, e thirri Elhamiun dhe më tha që e njëjta situatë është ende, i kërkon paratë për ditën e martë. Unë kthehem nga pushimi për shkak të situatës dhe të martën në mëngjes takohemi me Elhamiun dhe Ymerin. Situata e tillë bën që t’i drejtohemi organeve të drejtësisë, pra me lajmërua rastin se çka ka ndodhur.
Kemi shku në polici, dhe i kemi dhënë të gjitha të dhënat me çka jemi ballafaquar. Unë i kam dorezu mesazhet me Arbenin ndërsa Elhamiu audio-incizimet. Paratë qe i kerkojke, i grumbulluam gjatë ditës vetëm 8 mijë euro, ishin të pazarit ditor Ato i ka fotografuar policia dhe i kemi fut në zarf ashtu siç kanë kërkuar. Unë s’kam qenë në takim kur janë dorëzua paratë. Sa ishim ne stacionin policor, Arbeni e thirrke Elhamiun dhe biseda u bëjkë në prani të tyre, pra policisë.” – dëshmoi para trupit gjykues, drejtori i “Telkos”, Enver Berisha.
Ndërkohë seanca e radhës u caktua me 2 dhjetor, në ora 13:10, ku u tha se prokuroria do t’i paraqes provat materiale dhe mund të dëgjohen edhe dëshmitarët e tjerë./Teve1.info/