Në Gjakovë sot do të mbahet një protestë me thirrjen “Drejtësi për Daorsën”, në nderim të Daorsa Spahijës, 25-vjeçares që humbi jetën tragjikisht në Tetovë më 6 nëntor.
Protesta është paralajmëruar të nisë në orën 12:00, ndërsa organizatorët theksojnë se Daorsa është lënë e pambrojtur nga institucionet e Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar njëkohësisht që shteti i Kosovës të angazhohet më fort në ndjekjen e rastit.
“Daorsa u la e pambrojtur nga institucionet e Maqedonisë së Veriut. Shteti i Kosovës duhet të veprojë me vendosmëri”, thuhet në thirrjen e organizatorëve, të cilët shtojnë se nuk do të ndalen “derisa të vendoset drejtësia”.
Organizatorët kërkojnë hetim të plotë dhe transparent për dhunën ndaj Daorses dhe dënim të përgjegjësve.
“Kërkojmë hetim të plotë e transparent për dhunën ndaj Daorsa Spahija. Askush s’është mbi ligjin. Ne nuk do të heshtim”, thuhet në njoftim.








