Alban Dragusha nuk është më trajneri i Ramiz Sadikut.
Klubi që garon në Ligën e Parë të Kosovës, pak më parë ka njoftuar për ndërprerjen e bashkëpunimit me marrëveshje të dyanshme me Dragushën.
Ramiz Sadiku ka falënderuar Dragushën për punën dhe angazhimin e bërë te kjo skuadër, si dhe i ka dëshiruar suksese në vazhdim të karrierës.
Pas largimit nga Ramiz Sadiku, Dragusha pritet ta marrë drejtimin e skuadrës së Prishtinës.
Mësohet se marrëveshja mes palëve është arritur dhe zyrtarizimi është vetëm çështje kohe.
Te Prishtina, Dragusha do ta zëvendësojë Afrim Tovërlanin që pas humbjes nga Ferizaj dha dorëheqje nga posti i trajnerit.
Prishtina në pesë ndeshjet e fundit nuk di për fitore, duke regjistruar tri humbje dhe dy barazime.
Zë vendin e tretë në tabelë me 38 pikë, katër më pak se Ballkani e Drita që ndajnë dy pozitat e para dhe kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.







