Janë vetëm një pjesë provave, të cilat u gjetën në pronën e njërit prej të arrestuarve, në bastisjet e kryera në një nga aksionet më të mëdha kundër narkotikëve në Kosovë.
Në këtë operacion të zhvilluar të martën, shtatë persona përfunduan nën pranga të policisë.
Që të gjithë të arrestuarit, sipas Prokurorisë Speciale kanë lidhje me 22 të arrestuarit e tjerë në qershor të këtij viti, në aksionin e titulluar “Qielli i thyer”.
Dosa e Prokurorisë, e siguruar nga Betimi për Drejtësi, ka zbardhur detaje të reja për këtë grup, që dyshohet se merrej me trafikimin e narkotikëve kokainë, heroinë dhe marihuanë nga shtetet e Amerikës së Jugut, Iranit dhe Turqisë.
“Aktivitetin e tyre e zhvillojnë duke aranzhuar porosi të narkotikëve nga shtetet e lartpërmendura dhe përmes këtij grupi sigurohen që narkotikun ta fshehin nëpër kontejnerë të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme përmes anijeve transportuese, kamionëve për transport mallrash e veturave të pajisura me bunkerë, duke e kamufluar narkotikun e duke rregulluar vende ekstra për të fshehur narkotikun”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, transportimi i narkotikëve ndodhte përmes rrugëve tokësore, duke shfrytëzuar Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, dhe duke përfunduar më pastaj në Kosovë, ku kryeshin disa përpunime.
“Në Kosovë e bëjnë përzierjen e narkotikut me sodë bikarbonat me qëllim të shtimit të peshës, e më pastaj e paketojnë sërish me anë të një makine me presion dhe përsëri narkotikun e vendosin duke e kamufluar në mjetet transportuese dhe e transportojnë duke e shitur tek blerësit në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian dhe një sasi edhe në Kosovë, e një pjesë të marihuanës edhe në Turqi”, ka njoftuar tutje Prokuroria.
Nga ky aktivitetet kriminal, Prokuroria thotë se grupi i përbërë edhee nga persona të tjerë nga brenda dhe jashtë Kosovës, rezultonte me gjenerimin e miliona eurove përfitime të kundërligjshme.
“Të dyshuarit, mjetet e fituara nga veprat penale i transferojnë nëpër biznese të ndryshme, të themeluara si biznese nga vetë të dyshuarit dhe persona tjerë, e duke i konvertuar paratë e fituara në prona të luajtshme dhe paluajtshme-toka, shtëpi, vetura, banesa, etj”, thuhet tutje në njoftim.
Prandaj, Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të gjithë të arrestuarve t’u caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditëve, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, si dhe “Shpërlarje të parave”.