Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim, ka mbajtur konferencën e tretë për media gjatë së cilës ka shpalosur të dhënat për mbarëvajtjen e tri javëve të fushatës zgjedhore, mbulimin medial, gjuhën e urrejtjes dhe shpenzimet në rrjetet sociale.
Sipas DnV-së, në javën e tretë fushata zgjedhore ka qenë e qetë, me përjashtim të incidentit në Skenderaj.
Demokracia në Veprim, këtë rast e ka quajtur sulm ndaj lirisë së shprehjes së lirë.
“Edhe në javën e tretë, fushata zgjedhore është zhvilluar në një atmosferë kryesisht të qetë, me përjashtim të një incidenti në Skenderaj me 27 janar, ku disa qytetarë janë mbledhur në qendër të qytetit dhe kanë protestuar kundër tubimit të LVV-së duke hedhur mjete piroteknike në lokacionin ku po mbahej tubimi i kësaj partie si dhe është ndërprerë edhe energjia elektrike. Ky akt ishte një sulm ndaj lirisë së grumbullimit dhe shprehjes së lirë, duke krijuar një atmosferë tensioni dhe pasigurie që bie në kundërshtim të plotë me parimet themelore të demokracisë”, thuhet në komunikatë.
Tutje, DnV ka thënë se edhe gjatë javës së tretë ka vazhduar përdorimi i gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike, ku është shtuar edhe numri i vendimeve dhe i gjobave të PZAP-së.
Kurse, sipas kësaj organizate intensiteti i fushatës është shtuar nga dita në ditë dhe me takime të formateve të ndryshme.
Komunikata e plotë:
Fushata në numra
Deri më tani, DnV ka monitoruar 582 aktivitete të subjekteve politike në tërë vendin, prej të cilave 207 janë mbajtur vetëm në javën e fundit. Tashmë, me numrin më të madh të aktiviteteve prin PDK-ja me 165 aktivitete, e cila ka tejkaluar LDK-në që ka 151 aktivitete. Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur 120 aktivitete, AAK-ja 89 aktivitete, ndërsa subjektet tjera politike (përfshirë edhe ato nga radhët e komuniteteve) kanë mbajtur rreth 60 tubime publike. Tubime kanë organizuar edhe partitë nga komuniteti serb në Kosovë, ku në këto zgjedhje për dallim nga zgjedhjet e kaluara ku garonin vetëm 3 partitë vogla serbe, në këto zgjedhje në garë janë 6 parti. Fushata e tyre është duke u zhvilluar në të gjitha komunat serbe.
Liria e grumbullimit
Subjektet politike kanë mundur të organizojnë tubime pa kufizime. Megjithatë, vëzhguesit e DNV-së kanë raportuar që 24 nga aktivitetet e subjekteve politike, janë mbajtur në kundërshtim me legjislacionin i cili përcakton obligime për paralajmërim të aktiviteteve 24 apo 48 orë më herët. Këtu përfshihet edhe incidenti në Skenderaj, i cili cënoi lirinë e grumbullimit, si një nga parimet themelore demokratike.
Objektet publike, përfshirë palestrat sportive, shtëpitë e kulturës, shkollat etj, vijojnë të mbesin gjerësisht vendet e preferuara për organizim të aktiviteteve nga partitë, të cilat 75% të aktiviteteve i kanë zhvilluar në objekte publike.
Pjesëmarrja qytetare në aktivitete
Pothuajse gjysma e tubimeve kanë vijuar që të jenë të mesme, me deri në 200 pjesëmarrës. Tubimet e vogla me deri në 50 pjesëmarrës përbëjnë 23% të aktiviteteve, kurse tubimet e mëdha me mbi 500 pjesëmarrës kanë shënuar një rritje të lehtë, duke përbërë tashmë 15% të numrit të përgjithshëm të aktiviteteve.
Gjatë kësaj jave ka pasur intensifikim të rasteve të pjesëmarrjes së organizuar të nxënësve nëpër aktivitetet e subjekteve politike. Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar këtë javë për 7 raste të reja të tilla në këtë javë, nëpër aktivitete të organizuara nga AAK, PAI, LVV, PDK, dhe LDK.
Përdorimi i gjuhës së drejtë dhe jo diskriminuese
Gjatë javës së fundit ka pasur përkeqësim të mëtutjeshëm të gjuhës dhe diskursit të përdorur në fushatë. Numri i aktiviteteve ku është përdorur gjuhë fyese, nxitëse apo e urrejtjes, pothuajse është dyfishuar – me 48 raste të evidentuara vetëm këtë javë. Edhe gjatë kësaj jave, aktivitetet e organizuara nga LVV-ja, prijnë për nga numri i rasteve kur është përdorur gjuha e urrejtjes – me 13 aktivitete, apo 1/3 e aktiviteteve të zhvilluara. Pas tyre, renditet AAK me 28% të aktiviteteve me gjuhë të urrejtjes, PDK-ja me 23% të aktiviteteve, si dhe LDK-ja me rreth 20% të aktiviteteve të karakterizuara nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes.
Fushata në hapësirën online
DnV deri më tani ka monitoruar në total 679 kandidatë për deputetë, prej të cilëve 447 janë burra dhe 232 gra. Gjatë tri javëve të fushatës, janë identifikuar deri në 623 raste të i) gjuhës denigruese dhe nxitjes së urrejtjes, veçanërisht në videot e realizuara nga subjektet politike dhe të shpërndara në rrjetet sociale; ii) Gjuhës së urrejtjes dhe përçmuese nga palët e treta, të cilat shpesh shfaqen në komentet e postimeve të kandidatëve për deputet/e; iii) Lajmeve të pavërteta, të cilat krijojnë dezinformim dhe përhapin mesazhe që rrezikojnë integritetin e fushatës.
Nga këto në total 232 raste apo 37 % e rasteve kanë pasur target gratë e subjekteve politike.
Paralisht, është bërë monitorimi i 152 portaleve (mediave online) në gjuhën shqipe dhe Serbe, ku janë identifikuar mbi 130.000 komente të bëra, prej të cilave 6% përmbajnë gjuhë urrejtjeje drejt subjekteve politike. Këto pasqyrojnë përdorimin e gjuhës se urrejtjes në komunikimet politike, duke ndikuar negativisht në diskursin publik dhe demokratik të vendit. Krahasimisht, gjuha e urrejtjes ndaj kandidatëve për kryeministër është si vijon:
-Albin Kurti – nga 10.054 postime ku ai përmendet, 7% përbëjnë gjuhë të urrejtjes
-Bedri Hamza – nga 7207 postime ku ai përmendet, 5% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.
-Ramush Haradinaj – nga 3734 postime ku ai përmendet, 4% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.
-Lumir Abdixhiku – nga 6088 postime ku ai përmendet, 4% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.
Gratë që kandidojnë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 po përballen me gjuhë të urrejtjes në hapësirat online. Nga 84,813 komente të analizuara në rrjete sociale, (6%) prej tyre janë identifikuar si gjuhë urrejtjeje. Kandidatet më të targetuara përfshijnë:
-Emrije Bashota AAK– nga 6 Artikuj ku ajo përmendet, 20% përbëjnë gjuhë e urrejtjes;
-Fitore Pacolli LVV – nga 129 Artikuj ku ajo përmendet, 20 % përbëjnë gjuhë e urrejtjes;
-Besa Kabashi Ramaj PDK– nga 141 Artikuj ku ajo përmendet, 19% përbëjnë gjuhë e urrejtjes;
Barazia gjinore dhe gjithëpërfshirja
Pjesëmarrja e grave mbetet tejet e ulët, ku në mbi gjysmën e aktiviteteve (54%) është shënuar pjesëmarrje minimale – vetëm në deri 10% – e grave. Sa i përket pjesëmarrjes aktive në garë zgjedhore, në mesin e mijëra folësve, gratë përbëjnë vetë 29% prej tyre.
Prezencë njëjtë e ulët e grave është shënuar edhe në media. Nga 905 kronika zgjedhore ku janë paraqitur kandidatët për deputetë, vetëm në 15% prej tyre ka pasur gra. Edhe kohëzgjatja televizive në kronika zgjedhore ka qenë dukshëm më e ulët për gratë në krahasim me burrat. Vetëm 46 minuta apo 12% e hapësirës televizive u është dhënë grave. Edhe sa i përket pjesëmarrjes në debate televizive, 23% kanë qenë gra.
Sa i përket përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara, deri më tani vetëm në 6 raste të njëjtit kanë mbajtur fjalime në aktivitetet e fushatës.
Mesazhet politike
Arsimi, ekonomia dhe pagat, infrastruktura, mirëqenia sociale, kultura, rinia e sporti, janë top pesë temat dhe çështjet e adresuara gjatë fjalimeve të fushatës. Në këtë javë, është evidentuar një trend i adresimit të tematikave që ndërlidhen me ekonominë dhe pagat. Lëvizja Vetëvendosje, vijon t’i ketë veriun e vendit dhe mirëqenien sociale tema bosht të fushatës së saj (në gjithsej 88 raste secila). PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, tema qendrore i kanë pasur arsimin dhe ekonominë.
Edhe këtë javë, mesazhet politike janë shpalosur kryesisht nga liderët dhe persona të caktuar të partive, pa iu dhënë mundësia të gjithë kandidatëve që vinë nga komunat përkatëse ku po mbahen aktivitetet. Në rastin e partisë në pushtet, shumica e fjalimeve në aktivitetet e mëdha janë mbajtur nga kryeministri apo anëtarët e kabinetit qeveritar, për dallim nga partitë tjera që u kanë ofruar vëmendje e hapësirë të shtuar kandidatëve nga zonat përkatëse ku është organizuar aktiviteti.
Sa i përket partive serbe në garë, fushata e tyre është më pak e koncentruar në përqim të mesazheve që kanë të bëjnë me planet politike dhe më shumë e përqendruara në sulmet dhe akuzat e ndërsjella për korrupsion. Deri më tani këto parti, fare pak kanë prezantuar plane të qarta politike duke mos trajtuar të drejtat dhe shqetësimet e e komunitetit serb.
Liria e shprehjes dhe informimit
Gjatë tri javëve të fushatës zgjedhore, janë monitoruar gjithsej 271 debate, prej të cilave kanë dominuar debatet me nga një kandidat/subjekt politik me gjithsej 139 të tilla.
Sa i përket pjesëmarrjes në debate sipas partive prinë, Koalicioni AAK – NISMA dhe PDK të cilët kanë marrë pjesë në nga 65 debate, LDK ka marrë pjesë në 49 debate, LVV në 27 debate.
Sa i përket kronikave zgjedhore, subjektet e mëdha kanë dominuar hapësirën televizive. Nga 1283 kronika të transmetuara gjatë tri javëve të fushatës, 1014 kronika janë transmetuar për subjektet e mëdha ( PDK-267, LDK-265, Koalicioni AAK/NISMA- 243 dhe LVV 239). Ndërsa, sa i përket hapësirës brenda subjekteve, pjesa më e madhe e kohës i është kushtuar kandidatëve për kryeministër dhe liderëve të listave garuese.
Sa i përket mediave, vlen të theksohet që, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është aktualisht jofunksional, ndërkohë që ka filluar kalimin në ueb-faqen e re, çka ka shkaktuar vonesa në publikimin e informacioneve zyrtare, përfshirë Rregulloren për trajtimin e ankesave, e cila ende nuk është publikuar. Ndonëse kemi kërkuar qasje në Ditarët e Ofruesve të Shërbimeve Mediale (OShM), por shumë prej tyre nuk i kanë dorëzuar në kohën e parashikuar, duke ngritur dyshime për mungesë transparence dhe mbikëqyrjeje.
Parandalimi i keqpërdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale
Në tri javët e para të fushatës janë evidentuar gjithsej 36 raste të keqpërdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale. Mirëpo, krahasuar me javët e kaluara, vërehet një përmirësim i ndjeshëm, meqë këtë javë janë shënuar vetëm 6 raste të tilla. Këto raste janë evidentuar në aktivitete të pothuajse të gjitha partive.
Transparenca dhe Financimi i fushatës
Ndonëse të organizuara kryesisht në objekte publike, aktivitetet e subjekteve politike kanë përfshirë materiale, produkte e shërbime që kanë kosto. Shpërndarja e kartëvizitave (465 raste), broshurave (212 raste), rekuizitave (182 raste), pijeve (131 raste) si dhe shërbime si zërimi (345 raste), video xhirimi profesional (295 raste), ndriçimi dhe laserët (107 raste) si dhe LED-at e mëdhenj (88 raste) janë disa prej produkteve dhe shërbimeve për të cilat partitë kanë shpenzuar më së shumti.
Po ashtu, deri më tani janë evidentuar të paktën 13 4 raste të sjelljes së organizuar të pjesëmarrësve me autobusë apo minibusë.
Shpenzimet për sponsorizim në Facebook: Në javën e tretë të fushatës DNV ka analizuar shpenzimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre në rrjetet sociale. Të dhënat flasin për një rritje domethënëse të numrit të postimeve si dhe mjeteve të shpenzuara. Vetëm gjatë javës së tretë, kemi pasur rreth 3 mijë postime të sponsorizuara, në vlerë prej mbi 50 mijë eurosh vetëm në shtatë ditët e fundit, që përbën trefishim të numrit të postimeve dhe dyfishim të kostos së shpenzuar, krahasuar me javën e parë të fushatës.
Kandidati i LDK-së për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, vazhdon t’i prijë listës së shpenzimeve në Facebook dhe Instagram, që tashmë kanë arritur vlerën prej mbi 12 mijë eurosh gjatë fushatës së deritanishme. Pas tij, renditet kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka shpenzuar mbi 11 mijë euro. Profilet e Memli Krasniqit – me 2380 euro; Abelard Tahirit – me 2042 euro; Lëvizjes Vetëvendosje – me 2000 euro; Ramush Haradinajt – me 1965 euro; profili zyrtar i LDK-së – me 1668 euro; Uran Ismailit – me 1287 euro; Enver Hoxhajt – me 1264 euro; si dhe Krenar Xhaferit me 1209 euro; e përbëjnë listën e top dhjetë shpenzuesve më të mëdhenj në rrjete sociale për këtë javë. Gjatë javës së fundit vërehet trendi i rritur i shpenzimeve nga subjekti politik Opre Roma Kosova që tashmë ka shpenzuar gjithsej rreth 4 mijë euro për sponsorizime në Facebook.
Neutraliteti institucional
Gjatë këtyre tri javëve, PZAP ka nxjerr gjithsej 133 vendime sa i përket ankesave për shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore, prej të cilave 86 kanë qenë vendime aprovuese dhe 47 vendime refuzuese. Lidhur me vendimet dënuese PZAP ka shqiptuar në total 432,400 euro gjoba për subjektet politike që kanë kryer shkelje ligjore të Kodit të Etikes. Këto gjoba janë shqiptuar kryesisht për shkak të shkeljeve lidhur me gjuhë nxitëse të urrejtjes, përdorim të resurseve publike, për vendosje të materialit zgjedhor në hapësira publike dhe përdorim të fëmijëve në fushatë zgjedhore. LDK është dënuar me 113,500 euro gjobë, LVV me 101,500 euro, PDK me 87,000 euro, AAK 69,700 euro, Koalicioni për familjen 25,500 euro, Lista Serbe me 13,500 euro, PLE-Partia Liberale Egjiptiane me 3000 euro, SRB Demokratija me 7,500 euro gjobë, Partia Kosovksi SRBA- me 7,200 euro, Nova Stranka me 1,500 euro, IRDK me 1,500 euro dhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim me 1000 euro. Sa i përket sigurisë, policia është kujdesur për mbi 70% të aktivitete të fushatës. Këtë javë, është shënuar një rast i pengimit të mediave në raportim të procesit zgjedhor, për çka edhe është shqiptuar gjobë nga PZAP-ja për Lëvizjen Vetëvendosje./teve1.info/