Koalicioni i organizatave jo-qeveritare “Demokracia në Veprim”, ka prezantuar analizën lidhur me parafushatën e subjekteve politike, përgatitjet e KQZ-së, në të cilën u theksuan risitë në procesin e votimit.
Eugen Cakolli nga DnV, ka thënë se për fushatën zyrtare zgjedhore që fillon në muajin janar, Demokracia në Veprim do të angazhojë 38 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të monitorojnë aktivitetet e subjekteve politike.
“Për fushatën zyrtare zgjedhore që fillon në muajin janar, Demokracia në Veprim do të angazhoj 38 vëzhgues afatgjatë të cilët do të monitorojnë aktivitetet e subjekteve politike. Në ditën e zgjedhjeve DNV, do të ketë gjithsej 550 vëzhgues statikë të cilët do të shpërndahen gjithandej vendit sipas metodologjisë ngjashëm me vitin 2021. DnV po ashtu do të vëzhgojë edhe procesin e numërimit të votave të kandidatëve nëpër qendrat komunale të numërimit për të cilën do të angazhojmë vëzhgues në secilën prej këtyre qendrave. Angazhimi i DNV-së përfshin po ashtu edhe shpenzimet e partive politike, veçanërisht në rrjetet sociale. Me ç’rast edhe përgjatë periudhës do të ofrojmë vlerësimin tonë, kemi matur sa kanë shpenzuar partitë vetëm në platformën Meta. Sa i përket administrimit të procesit zgjedhor nga ana e KQZ-së, që nga shpallja e zgjedhjeve nga ana e presidentes, KQZ-ja ka zhvilluar 20 takime, mbledhje të cilat janë marrë vendime të shumta, përjashtim këtu bënë miratimi i listës së qendrave të votimit jashtë vendit për të cilën ka pasur përplasje mes anëtarëve të KQZ-së, konkretisht në mes të anëtarëve të LVV-së dhe anëtarëve të partive tjera”, ka theksuar Cakolli.
Cakolli ka thënë se risi të këtij procesi zgjedhor do jenë vendosja e kamerave të sigurisë nëpër të gjitha vendvotimet si dhe matripulimi i gishtërinjve të votueseve.
“Risi të këtij procesi zgjedhor do jenë vendosja e kamerave të sigurisë nëpër të gjitha vendvotimet, si dhe matripulimi i gishtërinjve të votueseve. Derisa për vendosjen e kamerave si DNV kemi pasur vlerësimin se është hap pozitiv por është me rëndësi që të njëjtat të mos vendosin si në procesin zgjedhor në veri të vendit, ku të njëjtat ishin vendosur prapa shpinës së votueseve, gjë që ka qenë një formë indimidimi të votueseve dhe si e tillë ka ndikuar në besimin e publikut. Sa i përket matrikulimit, për këtë çështje ndonëse ka vendim dhe opinion të Agjencisë për informim dhe privatësi që të rishqyrtohet dhe të gjinden modalitete tjera, fatkeqësisht ende nuk është vërejtur një gatishmëri e KQZ-së që ta ndryshojë këtë, e madje edhe vet vendimi si i tillë ka qenë i paarsyetuar nga ana e KQZ-së, për shkak se i njëjti nuk është se do të sjellë ndonjë benifit sa i përket procesit zgjedhor, por do të cenojë të drejtën kushtetuese të privatësisë së votuesve”, tha mes tjerash Cakolli.
Ndërsa, ka folur edhe për votimit jashtë vendit. Ai ka thënë se në funksion të informimit të votuesve, KQZ-ja ka nisur tashmë me aktivitete për edukimin e votueseve
“Në funksion të informimit të votuesve, KQZ-ja ka nisur tashmë me aktivitete për edukimin e votueseve. Votimi jashtë vendit paraqet një prej operacioneve sërish më të ndjeshme të procesit zgjedhor, kryesisht edhe për shkak të ndryshmeve të shumta që ka pësuar legjislacioni në raport me të. Tani më qytetarët që jetojnë jashtë vendit kanë në dispozicion edhe dy mundësi të tjera për të votuar, ndër të cilat votimi fizik nëpër misionet diplomatike të Kosovës është opsioni më i rëndësishëm por edhe votimi nëpër kutitë postare që do të hapen brenda misioneve diplomatike. Sa i përket votimit jashtë vendit kjo ka qenë në fakt kërkesa kryesore e partisë në pushtet edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2021 e cila pastaj është materializuar edhe me ndryshimet në ligjin për zgjedhje në vitin 2023. Në bazë të statistikave deri më tani kemi rreth 15 mijë aplikacione të aprovuara nga ana e KQZ-së, por prej të cilave gati 2/3 e tyre janë për votim me postë. Kjo tregon një interesim të qytetarëve për të votuar me postë, derisa votimi fizik nëpër ambasada mbetet opsioni i dytë me vetëm 30 për qind të votuesve që e kanë zgjedhur të njëjtin”, ka thënë Cakolli./kp